Tue, Jun 2, 2026

Protesta e parë shqiptare kundër neoliberalizmit

Protesta e parë shqiptare kundër neoliberalizmit
  • PublishedJune 2, 2026
Mijëra protestues marshuan në Tiranë kundër ndërtimit të një resorti turistik në një zonë të mbrojtur. | Foto: LSA

Ka një dimension të rëndësishëm botëkuptimor protesta që ka mbledhur mijëra shqiptarë, pavarësisht se për kë votojnë, apo se çfarë mendojnë për natyrën, për të drejtat e njeriut, apo për modelet turistike që duhet të ndjekë Shqipëria.

Mendoj se për herë të parë një masë dërrmuese e shqiptarëve po refuzojnë jo vetëm korrupsionin masiv, jo vetëm dhunën shtetërore apo atë private, jo vetëm mungesën e transparencës, e jo vetëm problematikën me sistemin gjyqësor, apo me pronat.

Për herë të parë shqiptarët po refuzojnë neoliberalizmin, që u është shitur atyre si forma më e lartë e kapitalizmit, e si rruga e vetme e zhvillimit.

Këtë model ekonomik e ideologji politike, shqiptarët e njohën për herë të parë në vitet ’90-të tek e ashtuquajtura terapi e shokut, që u pasua nga privatizime dhe likuidimi masiv i aseteve që ishin akumuluar për vite e vite të tëra nga shoqëria.

Familjet shqiptare që ishin mësuar me rolin absolut të shtetit në jetën e tyre – që të gjente shkollë, të punësonte e rregullonte çdo aspekt të jetës tënde – befas panë reduktimin brenda natës të shtetit e bashkë me të edhe zhdukjen e çdo forme organizimi publik që jo vetëm i lejonte të përfytyronin konceptin e pronësisë së përbashkët mbi gjëra si uji, ajri, pylli, lumi, deti, hapësirat e përbashkëta mes lagjeve, lulishtet, rrugët, urat, etj. – por edhe garantonte aksesin në to. Rënia e shtetit nuk u zëvendësua pastaj nga asnjë formë tjetër që të vazhdonte të mbronte interesat e publikes, e as të garantonte aksesin e barabartë në atë hapësirë.

Premtimi ishte se kjo është forma më e lartë e kapitalizmit që do i bëjë shqiptarët të pasur, mjafton të durojnë pak. E durimi për një afat të pacaktuar, u quajt tranzicion.

Në këto 35 vjet të tranzicionit, shqiptarëve iu tha që po të zgjidhnin njeriun e duhur, gjërat do të ecnin mbarë. E kështu plot katër herë shqiptarët kanë zgjedhur në mënyrë bindëse atë kryeministër që në kohë të vet u është prezantuar shqiptarëve si i duhuri: në 1992, në 1997, në 2005 dhe në 2013.

Duke filluar nga i pari e deri te i fundit, të gjithë kryeministrat e Shqipërisë, kush më shumë e kush më pak, kanë bërë ekzaktësisht të njëjtën gjë: kanë shtuar privatizimet, kanë ulur drastikisht shërbimet ndaj njerëzve, përfshirë buxhetet reale për shëndetësinë e arsimin dhe kanë minimizuar rolin rregullator të shtetit duke bërë pothuajse gjithmonë një hap para, dy hapa pas.

Kur asete fizike për t’u shitur nuk ka patur më, kanë shitur asetet e ushtrisë. Kur edhe këto të fundit kanë mbaruar, i janë turur natyrës, kryesisht bregdetit, e për të mbajtur në këmbë këtë sistem monstër që ushqehet jo me ide e kreativitet, por vetëm me akumulim të aseteve e kapitalit, kanë filluar të privatizojnë shërbimet pavarësisht se në shumë raste infrastruktura e tyre ka qenë e ndërtuar me taksat e qytetarëve (kujtoni këtu p.sh. koncesionin e sterilizimit). Së fundmi, po i turren pronave private të qytetarëve, po i tjetërsojnë, e po i akumulojnë në llokma më të mëdha që pastaj t’i shesin më kollaj te sheiku apo te dhëndri i rradhës. Dhe kjo quhet investim…

Por 35 vjet më vonë, teksa shikojnë që nuk u bënë më të pasur, apo se pavarësisht që rrogat janë më të larta, çmimet janë edhe më të larta; se ndryshe nga prindërit e tyre shqiptarët sot në moshën më kritike të tyre as nuk e ëndërrojnë dot që të blejnë një shtëpi; se pavarësisht që hyjnë e dalin miliona turistë, jeta nuk ndryshoi për mirë, përkundrazi, çmimet, përfshirë qëratë e shtëpive, u bënë edhe më larta; kur kuptuan se rregullimi vetëm i hapësirave të tyre private nuk ua bën jetën detyrimisht më të mirë, nëse jashtë shtëpisë mungojnë rrugët, e nëse nuk mungojnë rrugët, mungojnë lulishtet, e nëse nuk mungojnë lulishtet, mungon uji, e nëse nuk mungon uji, mungon cilësia e ajrit, e kështu me rradhë.

Kur shqiptarët akumuluan këtë përvojë jetësore me neoliberalizmin – apo siç e quan Rama “përtej së majtës e së djathtës” – të ekspozuar pra për mbi tre dekada me këtë botëkuptim, kuptuan më në fund, se ky ndoshta nuk është sistemi për të cilin ata kishin ëndërruar.

Se nëse ekonomi e tregut do të thotë të konkurrosh në mënyrë të barabartë e të fitojë ideja më e mirë dhe mundi më i madh, në Shqipëri as ideja e as mundi nuk të bëjnë të pasur.

Se sistemi neoliberal që e shikon shtetin si një mjet për të lehtësuar investimet private, por jo ama për të garantuar kthimin e investimit në të mira publike, nuk favorizon atë që konkurron me idenë më të mirë, por atë që nuk hyn fare në konkurrim se ndoshta, përmes akumulimit masiv të aseteve e kapitalit, ka mbetur i vetmi në treg.

Se nëse rritja e mirëqënies u premtua si rruga drejt dinjitetit, si pasaporta më e sigurt që do ia mbante kokën lart çdo shqiptari, sot realiteti është një ankth i vazhdueshëm ekzistencial i përditshëm.

Se mund të jesh në punë me kohë të plotë, edhe në një profesion të nderuar, dhe përsëri të jesh vetëm një rrogë larg rrënimit: stabiliteti është ende vetëm një iluzion.

Ky sistem e ka zhveshur individin nga çdo formë sigurie (safety net), duke e kthyer edhe shëndetin edhe jetën në mallra tregu. Mund ta kem gabim, por mendoj se sot, frika më e madhe e çdo shqiptari sot nuk është thjesht varfëria, por frika nga sëmundja, sidomos nga sëmundja kronike ose ajo e rëndë.

Shqiptarët e dinë mirë se nëse diçka e keqe ndodh me shëndetin e tyre apo të njerëzve të dashur, spitalet publike të degraduara nga nënfinancimi i qëllimshëm – një ‘vlerë’ klasike kjo neoliberale – të detyrojnë të hysh në borxhe apo të përgatitesh të shesësh gjithçka që ke: shtëpinë, tokën (nëse ke arritur ta marrësh), pasurinë e një jete – vetëm për të blerë një shërbim në spitalet private që do të të mbajë gjallë. Ka njerëz sot që marrin kredi për të shlyer seancat e kemioterapisë apo të imunoterapisë. Nuk mendoj se shqiptarët e kanë menduar kështu kapitalizmin.

Nuk kanë menduar kurrë që përballë një krize shëndetësore nëse nuk ke para, nuk ke të drejtë të jetosh. Kjo nuk ka qënë pjesë e premtimit fillestar të 35 vjetëve më parë, apo jo? Pra pasuria që krijohet përmes shfrytëzimit të hapësirës dhe burimeve të përbashkëta ose edhe duke inkurajuar qytetarët të investojnë e zhvillojnë pasuritë e tyre, nuk kthehet mbrapsht në të mira për shoqërinë, por akumulohet në llogari private përfituesit e vërtetë të të cilëve shqiptarët nuk i dinë.

Prandaj, kjo protestë nuk është thjesht një reagim i zemëruar ndaj një plani jo transparent turistik apo një oligarku të radhës.

Kam frikë se sot, sidomos sot kur ne e shikojmë qartë si Rama, Berisha dhe të fortët e çdo krahu janë bërë njësh, ajo shënon pikën e kthesës ku qytetarët po dalin nga gjendja e “tranzicionit të përhershëm” mendor.

Për herë të parë, në shesh po refuzohet një model ekonomik e një botëkuptim politik që favorizon dy tre vetë në kurriz të gjithë të tjerëve. E në këtë mënyrë, nga mbrojtja e një pylli, e bregdetit apo e një lagune, po lind një vetëdije e re politike: kuptimi që liria e vërtetë nuk vjen nga liria për të gllabëruar gjithçka, por nga liria e shoqërisë për të garantuar dinjitetin dhe të ardhmen e njerëzve të saj.

Ky është fundi i iluzionit neoliberal që e shton Shqipërinë në rradhët e shumë vendeve të tjera në botë, në pothuajse çdo kontinent ku protestohet kundër të njëjtit sistem që pasuron 1 përqind, e mban larg resurseve 99 përqindshin tjetër.