Rama e lidh fatin e tij politik me projektin e Zvërnecit
Kryeministri Edi Rama tha të martën se nuk do të tërhiqej nga projekti turistik i parashikuar në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, Vlorë, pavarësisht protestave qytetare kundër këtij projekti dhe një hetimi të nisur për tjetërsim pronash nga eksponentë të krimit të organizuar në gjurmën e këtij projekti.
“S’ka asnjë shans që investimi të ndalojë sa kohë unë do të jem këtu”- tha Rama duke e lidhur të ardhmen e tij politike me fatin e projektin të një resorti turistik, i prezantuar publikisht si një ide e dhëndrit të presidentit të SHBA-së, Jared Kushner.
Madje ai tha se investimi nuk do të ndalet as nëse hetimet e nisura nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, do të dalin në përfundimin se ka patur përfitim të paligjshëm të tokave ku do të ndërtohet projekti i kontestuar.
“Investimi vazhdon me pronarët e rinj dhe të ligjshëm dhe në rast se nxjerr një tjetër origjinë prone, ata që kanë të drejtën e asaj prone, mund të marrin ato para dhe të gjitha janë të lumtura përveç palës që ka mashtruar”- tha ai.
Po ashtu Kryeministri komentoi vendimin e prokurorisë për bllokimin e llogarive bankare të një prej kompanive të lidhura me zhvillimin e këtij investimi dhe që zotërohet nga dy vëllezër miliarderë nga Katari.
Sipas tij bllokimi i transaksionit ‘është arbitrar dhe negativ’, ndërsa “bllokimi i kalimit të parave te pronari që ka dyshime është i mirëpritur”, ndërsa doli garant për reputacionin dhe seriozitetin e tyre dhe për ligjshmërinë e burimeve financiare.
Prokuroria e Posaçme, SPAK, konfirmoi të hënën se ka nisur hetimi mbi mënyrën e përfitimit të tokave në zonën e mbrojtur të Zvërnecit nga një rrjet i dyshimtë individësh dhe kompanish, si edhe mbi procedurat e zbatimit të projektit për ndërtimin e resorteve turistike.
Kompania që po zhvillon resortin, Zvërnec South Adriatic Development, është regjistruar offshore në formën e një trusti në Holandë, ndërsa pronarët përfitues të saj mbeten anonimë.
Por një investigim i BIRN i publikuar të premten e kaluar, gjeti se pas projektit për ndërtimin e rezorteve, që është prezantuar publikisht si një ide e dhëndrit të presidentit të SHBA-së, Jared Kushner, fshihet një rrjet vendor i dyshimtë individësh dhe kompanish.
Aty përfshihen: një biznesmen i akuzuar për lidhje me mafian italiane, një ish-gjyqtar i dorëhequr për shkak të procesit të vetingut, vajza e një avokati të akuzuar për falsifikim, kompania e një biznesmeni të vrarë dhe individë të lidhur me një prej oligarkëve më të mëdhenj në Shqipëri, Shefqet Kastrati.
