Dëmtimi në kyçin e dorës, Karlos Alkaraz vendos në punë “sallaken”
Lajme nga “planeti Alcaraz”, mes videove dhe fotove argëtuese, momente stërvitjeje dhe edhe një “mister” të vogël. Tenisti spanjoll po rikuperohet nga dëmtimi në kyçin e dorës, i pësuar në Barcelonë, që e detyroi të tërhiqet fillimisht nga turnetë “Masters 1000” në Madrid dhe Romë, e më pas nga “Roland Garrosi” dhe “Uimbëlldoni” i ardhshëm.
Së fundmi, në profilin e tij në “Instagram”, fituesi i shtatë turneve Grand Slam publikoi një seri fotosh me titull “një maj pak ndryshe”, ku shfaqej në shumë momente të kësaj periudhe rikuperimi, por jo vetëm, edhe në pushime e çaste relaksi me miqtë dhe familjen. Një Alcaraz që dukej gjithçka përveçse i demoralizuar.
ALKARAZ “MAJTOSH”? – Ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishin dy momente në këtë seri fotosh. Njëri ishte një video ku Alkaraz shfaqet në fushë duke u stërvitur, por duke përdorur dorën e majtë për të mbajtur raketën, në mënyrë që të mos sforcojë kyçin e dëmtuar. Ylli spanjoll ka treguar se ia del mbanë edhe me të majtën, por kjo nuk është diçka e re, pasi ai vetë ka deklaruar më herët se i përdor të dyja duart për të luajtur.
NJË NDËRHYRJE…? – Një tjetër foto ka ngritur më shumë shqetësim te tifozët e tenisit: Alkaraz shfaqet në spital, me mantel dhe me një byzylyk identifikimi në dorë, tipik për pacientët gjatë ekzaminimeve ose qëndrimit në spital. Megjithatë, askush nga stafi i tij nuk ka folur për një ndërhyrje kirurgjikale në kyçin e dorës dhe nuk ka konfirmime për një operacion. Me shumë gjasë, bëhet fjalë për një rezonancë magnetike, ku përdoret pikërisht një veshje e tillë. Spanjolli tashmë ka konfirmuar mungesën në Uimbëlldon, ndërsa bota e tenisit pret rikthimin e tij në sezonin e fushave të forta.
