Thu, Jun 4, 2026

I iku 4 herë RENEA-s, a u nënvlerësua ish-komando? Vrau një polic dhe plagosi një tjetër

I iku 4 herë RENEA-s, a u nënvlerësua ish-komando? Vrau një polic dhe plagosi një tjetër
  • PublishedJune 4, 2026

Katër herë i shpëtoi operacioneve të RENEA-s, ndërsa në aksionin e fundit humbi jetën një efektiv policie. Ngjarja e rëndë në Lozhan të Maliqit po ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si u vlerësua rrezikshmëria e Violand Braçellarit dhe si u organizua operacioni për arrestimin e tij.

Sipas informacioneve paraprake, Braçellari kishte arritur t’u shpëtonte disa operacioneve të mëparshme për kapjen e tij, çka e bënte atë një person me rrezikshmëri të lartë dhe një objektiv që kërkonte planifikim maksimal operacional. Pikërisht për këtë arsye, pasojat tragjike të aksionit të fundit kanë sjellë kritika dhe kërkesa për sqarime mbi vendimmarrjen e strukturave drejtuese të Policisë në Korçë.

Burime pranë ngjarjes ngrenë dyshime se vlerësimi i situatës mund të mos ketë qenë në nivelin e duhur, ndërsa fakti që në operacion mori pjesë një numër i kufizuar efektivësh ka shtuar debatet mbi përgatitjen dhe organizimin e ndërhyrjes.

Në qendër të vëmendjes është edhe drejtimi i Policisë së Korçës, e drejtuar nga Vilson Bala, pasi hetimet pritet të verifikojnë nëse janë ndjekur të gjitha procedurat dhe standardet e nevojshme për arrestimin e një personi që konsiderohej me rrezikshmëri të lartë. Deri më tani nuk ka asnjë përfundim zyrtar që ngarkon me përgjegjësi drejtues të caktuar, por ngjarja ka hapur diskutime mbi mënyrën e menaxhimit të operacionit.

Pas vizitës tek efektivi i plagosur në Spitalin e Traumës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit bëri të ditur se Prokuroria e Korçës ka nisur hetimet, ndërsa janë aktivizuar edhe strukturat e Standardeve Profesionale.

“Hetimet kanë filluar si nga Prokuroria e Korçës, njëkohësisht edhe nga Standardet Profesionale, të cilat i kam autorizuar të nisen drejt Korçës. Unë pas këtij momenti do të nisem drejt Korçës dhe nga aty do të keni një njoftim më të qartë dhe më të plotë për të gjithë dinamikën e ngjarjes dhe për çfarë ka ndodhur”, deklaroi ai.

Tashmë hetimet do të duhet të japin përgjigje për disa pyetje kyçe: Si mundi një person i kërkuar t’i shpëtonte disa operacioneve të mëparshme? A u vlerësua siç duhet rreziku që paraqiste? Dhe a mund të ishin shmangur pasojat tragjike që i morën jetën efektivit Enea Mekolli?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve pritet të dalin nga hetimi i Prokurorisë dhe i Standardeve Profesionale, të cilat do të përcaktojnë nëse ka pasur mangësi në organizimin dhe drejtimin e operacionit.