Sat, Jun 6, 2026

Revolucioni i Flamingove po raportohet në rrjetet sociale

Revolucioni i Flamingove po raportohet në rrjetet sociale
  • PublishedJune 6, 2026
Një protestuese me pankartë kundër projektit në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë. | Foto: Nensi Bogdani

Protestat kundër projektit turistik në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, të cilat kanë mbledhur mijëra qytetarë në Tiranë gjatë ditëve të fundit, fillimisht morën pak vëmendje dhe më pas u pasqyruan në mënyrë të njëanshme nga televizionet dhe mediat kryesore kombëtare.

Aktivistët që i drejtojnë ato ankohen se një pjesë e mediave kanë promovuar edhe narrativa konspirative dhe dezinformuese që e largojnë debatin nga shqetësimet mjedisore dhe ligjore që lidhen me projektin.

Në këtë situatë, rrjetet sociale janë kthyer në mjetin kryesor të organizimit dhe komunikimit të protestuesve. Përmes platformave si Facebook, Instagram dhe TikTok, organizatorët kanë shpërndarë informacion, kanë mobilizuar pjesëmarrësit dhe kanë dokumentuar zhvillimet në terren.

“Fakti që jemi bojkotuar në masë nga pothuajse të gjitha mediat tradicionale ka qenë i rëndësishëm për të kuptuar se aleat kemi vetëm njëri-tjetrin dhe se e vetmja formë me të cilën kemi komunikuar kanë qenë rrjetet sociale”, tha për BIRN Sidorela Vatnikaj, aktiviste e shoqërisë civile dhe pjesëmarrëse aktive në tubime.

Mijëra qytetarë shqiptarë kanë protestuar gjatë javës së fundit në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit kundër projektit për ndërtimin e një resorti masiv në zonën e mbrojtur Zvërnec-Nartë, të lidhur me Jared Kushner – dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump – investitorë nga Katari dhe grupin Kastrati.

Tubimet e përditshme në Tiranë, të cilave u janë bashkuar kryesisht të rinj me pankarta satirike, janë pagëzuar nga mediat si “Revolucioni i Flamingove”, për shkak se flamingoja e Lagunës së Nartës është kthyer në simbol të protestave.

Besjana Shehu, aktiviste mjedisore dhe bashkëthemeluese e Shoqatës së Ornitologëve të Shqipërisë (AOS), shprehet se rrjetet sociale kanë bërë atë që mediat tradicionale duhet të kishin bërë që ditën e parë.

“Rrjetet sociale po ndihmojnë pafundësisht. Kontributi i tyre ka qenë jashtëzakonisht i vlefshëm në amplifikimin e mesazhit, zërit dhe pranisë së kësaj kauze”, tha ajo.

Edhe pse Shehu pranoi se po vihet re një përmirësim në mbulimin e protestave nga disa media vendase gjatë ditëve të fundit, ajo shtoi se gjithsesi vërehen përpjekje për ta devijuar kauzën përmes teorive konspirative, interesave të ndryshme politike apo narrativave që nuk kanë lidhje me problemin real.

“Të vjen keq të shohësh se si një protestë kaq origjinale, njerëzore, progresive dhe qytetare detyrohet herë pas here të mbajë mbi vete ngjyra, logo apo interesa që nuk i përkasin”, tha ajo.

Arben Kola, aktivist dhe udhërrëfyes turistik, i pranishëm prej vitesh në protestat kombëtare për kauza mjedisore, hodhi poshtë teoritë konspirative të përmendura deri më tani në mediat kombëtare mbi origjinën e organizimit të protestës.

“Nismëtarët e vërtetë të këtyre protestave kanë qenë aktivistët e lirë, të palidhur me partitë”, tha Kola për BIRN.

Ai shtoi se, në rastin e Zvërnecit, ishin padrejtësitë dhe dhuna e përdorur ndër vite që krijuan kohezionin social të kësaj proteste masive.

“Aktivizmi ndër vite dhe dhuna e përdorur në Rrjoll prej katër muajsh, apo edhe në Durrës dhe në shumë qytete të tjera, sollën aktin final që ishte Zvërneci”, tha Kola.

Aktivistët ankohen se po përballen në media me etiketime diskriminuese dhe narrativa dezinformuese.

“Shpeshherë jemi quajtur agjentë grekë, disa herë jemi quajtur të sponsorizuar nga struktura të huaja, teksa disa të tjerëve prej nesh, që janë besimtarë, i kanë intimiduar duke i quajtur myslimanë”, tha Sidorela Vatnikaj.

Sipas saj, këto tentativa janë një sulm i organizuar ndaj protestuesve, me bekimin e qeverisë, por edhe të partisë më të madhe opozitare, e cila po ndihet e rrezikuar.

“Kjo është një përpjekje për ta minimizuar efektin e një lëvizjeje të jashtëzakonshme qytetare, e cila po kërkon shtetin e së drejtës”, tha Vatnikaj.

Sipas Besjana Shehut, këto sulme janë, në fakt, një kosto e pashmangshme e aktivizmit për kauza me interes të lartë publik.

“Është si një dallgë e madhe: ajo sjell energji dhe mbështetje, por bashkë me të sjell edhe llumin”, përfundoi Shehu nga AOS.