Sun, Jun 7, 2026

E rëndë/ Futbolli në zi, ndahet nga jeta në moshën 22-vjeçare sulmuesi i Elbasanit, Fatjon Bunjaku

E rëndë/ Futbolli në zi, ndahet nga jeta në moshën 22-vjeçare sulmuesi i Elbasanit, Fatjon Bunjaku
  • PublishedJune 7, 2026

Një tragjedi ka goditur futbollin shqiptar dhe atë kosovar. Fatjon Bunjaku, sulmuesi 22-vjeçar i AF Elbasanit, ka humbur jetën pas një aksidenti rrugor të ndodhur pas mesnatës në aksin Prishtinë – Mitrovicë.

Lajmi i hidhur ka shkaktuar tronditje të madhe në botën e sportit, ndërsa mesazhet e ngushëllimit kanë vërshuar nga klube, futbollistë, tifozë dhe personalitete të futbollit në Shqipëri dhe Kosovë.

Klubi AF Elbasani reagoi menjëherë pas ngjarjes, duke shprehur dhimbjen për humbjen e futbollistit të ri, i cili kishte dhënë kontributin e tij me fanellën verdheblu.

“Sot, familja e madhe e klubit tonë humbi jo vetëm një lojtar, por një njeri që mbajti me krenari ngjyrat e klubit dhe la kontributin e tij në historinë tonë. Në këto momente të vështira, mendimet dhe lutjet tona janë me familjen Bunjaku, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe ta duan Fatjonin”, shkruan AF Elbasani.

Fatjon Bunjaku konsiderohej një nga futbollistët e rinj me perspektivë. Përveç aktivizimit me AF Elbasanin, ai kishte luajtur edhe për disa skuadra të njohura në Kosovë, ndërsa kishte qenë pjesë e përfaqësueses U-21 të Kosovës.

Vdekja e papritur e 22-vjeçarit ka lënë një boshllëk të madh te të afërmit dhe te komuniteti sportiv, duke ndërprerë në mënyrë tragjike karrierën dhe ëndrrat e një lojtari që kishte ende shumë për të dhënë në fushën e blertë.

Në këto momente të vështira, familja, miqtë dhe bashkëlojtarët e tij po përballen me një humbje të rëndë, ndërsa futbolli shqiptar i jep lamtumirën një talenti të ri që u nda nga jeta shumë herët.