Sun, Jun 7, 2026

Tragjedi në Mat: Gjendet i pajetë Flamur Kolmarku, ishte shpallur i humbur prej dy ditësh

Tragjedi në Mat: Gjendet i pajetë Flamur Kolmarku, ishte shpallur i humbur prej dy ditësh
  • PublishedJune 7, 2026

Tragjedi në Mat: Gjendet i pajetë Flamur Kolmarku, ishte shpallur i humbur prej dy ditësh

Është mbyllur në mënyrë tragjike kërkimi për Flamur Kolmarkun, ish-drejtues në Gardën e Republikës, i cili ishte raportuar i zhdukur prej dy ditësh dhe nuk kishte kontaktuar me familjen e tij.

Familjarët dhe të afërmit kishin bërë apel publik për ndihmë në gjetjen e 56-vjeçarit, duke bërë me dije se ai vuante nga demenca që prej periudhës së Covid-19. Sipas tyre, gjendja shëndetësore mund ta orientonte drejt vendeve të lidhura me kujtime të hershme të jetës së tij, si Selita e Mirditës, Mamurrasi apo Rubiku. Ditët e fundit kishte pasur edhe raportime nga qytetarë që pretendonin se e kishin parë në zona të ndryshme të Matit.

Ndërkohë, këtë të diel, Policia e Shtetit njoftoi se rreth orës 10:00, në lumin Mat, në fshatin Zenisht të Bashkisë Mat, është gjetur pa shenja jete shtetasi me inicialet F.K., 56 vjeç, banues në Tiranë.

Sipas informacionit paraprak të policisë, nga këqyrja e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa nga veprimet e para hetimore dyshohet se ai ka humbur jetën si pasojë e mbytjes në ujë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e rastit.

Lajmi ka shkaktuar dhimbje te familjarët, miqtë dhe të njohurit e Flamur Kolmarkut, ndërsa priten rezultatet e hetimeve për të hedhur dritë mbi ngjarjen.