Fri, Jun 12, 2026

Botërori “Brazil 2027” për vajza/ Shqipëria njeh më 18 qershor kundërshtaret e fazës play-off, ja rivalet e mundshme

Botërori “Brazil 2027” për vajza/ Shqipëria njeh më 18 qershor kundërshtaret e fazës play-off, ja rivalet e mundshme
  • PublishedJune 12, 2026

Kombëtarja e vajzave ka arritur një tjetër sukses historik, duke siguruar për herë të parë kualifikimin në fazën play-off të Kampionatit Botëror “Brazil 2027”. Një arritje që konfirmon progresin e vazhdueshëm të skuadrës kuqezi dhe punën e bërë ndër vite nga Federata, stafi teknik dhe futbollistet shqiptare.

Skuadra e drejtuar nga Armir Grima do të mësojë më 18 qershor, në ora 12:00, emrin e ekipit kundërshtar për raundin e parë të play-off-it, një fazë që mund ta afrojë edhe më shumë Shqipërinë me ëndrrën e madhe të një kualifikimi historik në Kupën e Botës, si edhe rivalen e mundshme për raundin e dytë të fazës play-off, që siguron një vend në Botërorin 2027

Sipas formatit të garës, skuadrat e renditura në vendet e dyta dhe të treta të grupeve të Ligës B do të përballen me ekipet e renditura në vendet e fundit të grupeve të Ligës A dhe skuadrat fituese të grupeve të Ligës B.

Kundërshtarët e mundshëm të Shqipërisë janë:

– Sllovenia, Polonia, Serbia dhe Ukraina (skuadrat e renditura në vendet e fundit të grupeve të Ligës A)

– Zvicra, Portugalia, Skocia dhe Uellsi (skuadrat fituese të grupeve të Ligës B).

Shorti i 18 qershorit do të përcaktojë rrugëtimin e radhës të vajzave kuqezi, të cilat tashmë kanë hyrë në historinë e futbollit shqiptar me këtë kualifikim të parë në fazën play-off të një Kampionati Botëror.

Po sipas formatit, Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë në shtëpi ndërsa ndeshjen e kthimit në transfertë. Kalendari i plotë i ndeshjeve do të bëhet me dije pas hedhjes së shortit.