Në Green Coast të Samir Mane u falsifikua toka
SKANDALI! SPAK: Në Green Coast të Samir Mane u falsifikua toka
Nga InfoNews.al
Provat e siguruara nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kanë ngritur dyshime të arsyeshme se disa persona nën hetim kanë bashkëvepruar me njëri-tjetrin në investime dhe kanë pasur interesa të përbashkëta në pasuri të njëjta.
Sipas gjetjeve hetimore, këto të dhëna rezultojnë edhe nga veprimet e kryera nga personat nën hetim Adrian Rama, Elton Memeti, Erjon Rama, Artur Shehu, Arben Ismailaj, Alfredo Hamzai dhe Ardian Zykaj, në lidhje me vilat e ndodhura në kompleksin “Green Coast” në Palasë të Himarës, në vitet 2019 e në vijim, si dhe me toka të tjera që ndodhen në Zvërnec, për të cilat hetimet janë ende në vijim.
Në një tjetër pjesë të materialit hetimor, SPAK thekson se nga provat e grumbulluara janë përftuar të dhëna mbi mënyrën se si personi nën hetim Artur Shehu ka përfituar pasuri dhe vila në kompleksin “Green Coast”, duke vepruar bashkërisht me Arben Ismailaj, Alfredo Hamzai dhe Ardian Zykaj.
Sipas hetuesve, tokat në fjalë jo vetëm që janë përfituar nëpërmjet falsifikimeve që prej vitit 2009, por kanë vijuar edhe veprimet e kundërligjshme për pastrimin e produkteve të veprës penale, duke gjeneruar të ardhura të konsiderueshme, të cilat më pas kanë kaluar në shoqërinë “Adhenis” sh.p.k., e krijuar në vitin 2020 dhe e pajisur me leje ndërtimi në vitin 2022.
Po ashtu, nga përgjimet e komunikimeve, bisedat në SkyECC dhe veprimet materiale të kryera, rezulton se personat nën hetim janë të përfshirë në veprime edhe në kompleksin “Green Coast”, pronësi e cila, sipas SPAK, është përfituar dhe mbështetur në dokumente të falsifikuara, të shoqëruara me veprime të shumta juridike pa logjikë ekonomike, me qëllim vështirësimin e gjurmimit të pasurisë dhe pastrimin e të ardhurave të rrjedhura nga veprimtaria kriminale.
Sipas materialit hetimor, modus operandi i konstatuar në këto hetime konsiston në gjetjen e personave që janë ose jo pronarë të trojeve, kryesisht në zonat bregdetare, si dhe në falsifikimin e dokumenteve të pronësisë, duke krijuar prona të pavërteta ose duke shtuar sipërfaqet e tyre.
Materialet e siguruara nga SPAK tregojnë se këto veprime realizohen nëpërmjet njohjeve dhe lidhjeve të shumta, duke bërë të mundur regjistrimin e pronave, krijimin apo shtimin e sipërfaqeve, përmes sigurimit të prokurave të përfaqësimit.
Gjetjet e SPAK:
Nga fotoja e parë:
Nga komunikimet e mësipërme krijohen dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se, personat nën hetim bashkëveprojnë me njëri-tjetrin në investime dhe kanë interesa të përbashkëta në pasuri të njëjta. Këto të dhëna rezultojnë edhe në veprimet e kryera nga personat nën hetim Adrian Rama, Elton Memeti, Erjon Rama, Artur Shehu, Arben Ismailaj, Alfredo Hamzai e Ardian Zykaj me vilat e ndodhura në kompleksin “Green Coast” Palasë, Himarë në vitet 2019 e në vijim, apo edhe në toka të tjera që ndodhen në Zvërnec, ku për këto të fundit po vijojnë hetimet.
B.3 Nga provat e grumbulluara janë përftuar të dhëna mbi mënyrën se si personi nën hetim Artur Shehu ka përfituar pasuri, vila në kompleksin “Green Coast”, i cili vepron bashkërisht me personat nën hetim Arben Ismailaj, Alfredo Hamzai e Ardian Zykaj, ku rezulton se “Tokat” jo vetëm që janë përfituar nëpërmjet falsifikimeve duke filluar në vitin 2009, por vijojnë veprimet e kundërligjshme në pastrimin e produkteve të veprës penale në vazhdimësi, duke gjeneruar kështu të ardhura të konsiderueshme, të cilat më pas kalojnë në shoqërinë “Adhenis” sh.p.k., të krijuar po në vitin 2020, ku në vitin 2022 është pajisur me leje ndërtimi.

⸻
Nga fotoja e dytë:
Në vijim të hetimeve nga përgjimet e komunikimet, nga bisedat në SkyEcc dhe nga veprimet materiale të kryera rezulton se, personat nën hetim, janë të përfshirë në veprime edhe në kompleksin “Green Coast”, pronësi e cila është përfituar dhe mbështetur në dokumenta të falsifikuara, e shoqëruar me veprime të shumta juridike pa logjikë ekonomike, për të vështirësuar gjurmimin e pasurisë, dhe për të pastruar të ardhurat e rrjedhura nga veprimtaria kriminale.
Ky modus operandi konstatohet në tërësinë e hetimeve të kryera në lidhje me këto grupe kriminale, e cila konsiston në:
-Gjetjen e banorëve të cilët janë pronarë ose jo të trojeve, të cilat kërkohen të përfitohen, troje të cilat kryesisht janë zona bregdetare;
-Falsifikimin e dokumentave të përfitimit të pronësisë, duke krijuar pronësi të pavërtetë, ose duke shtuar sipërfaqet e pronësisë. Kjo realizohet nëpërmjet njohjeve dhe lidhjeve të shumta, duke patur mundësi për të regjistruar pronat, krijuar apo shtuar sipërfaqe, realizuar kjo nëpërmjet sigurimit të prokurave të përfaqësimit;

