Edhe Green Coast 2 i Samir Mane, me tjetërsim pronash…zbulohet skema
SKANDALI! SPAK: Edhe Green Coast 2 i Samir Mane, me tjetërsim pronash…zbulohet skema
Materialet hetimore evidentojnë një skemë të dyshuar për përfitimin dhe tjetërsimin e pronave në zonën e Palasës, ku përfshihen disa persona nën hetim dhe marrëdhënie kontraktore me shoqërinë “Green Coast” sh.p.k.
Sipas të dhënave të referuara në dosje, personat nën hetim fillimisht janë përpjekur që përmes shoqërisë tregtare të Ardian Zykajt të investonin një sipërfaqe toke në Palasë, e cila dyshohet se ishte përfituar me dokumente të falsifikuara.
Më pas, sipas hetimeve, Arben Ismailaj, i cili dyshohet se vepronte de facto për llogari të Artur Shehut, ka kryer një sërë veprimesh që lidhen me copëzimin dhe tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme. Hetuesit thonë se këto veprime janë realizuar në bazë të një prokure të lëshuar nga shtetasi Polimer Beja.
Dosja evidenton gjithashtu se Arben Ismailaj, duke përfaqësuar Polimer Bejën, ka hyrë në marrëdhënie shkëmbimi me këtë të fundit, duke përfituar tokën dhe të drejtat që rrjedhin nga kontrata e sipërmarrjes me “Green Coast” sh.p.k. Sipas analizës hetimore, ky veprim konsiderohet në vijimësi të një serie veprimesh të kryera që nga viti 2009 në lidhje me të njëjtën sipërfaqe trualli, si dhe me prona të tjera që dyshohet se janë përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara.
Sipas materialeve hetimore, pas lidhjes së kontratës së shkëmbimit ndërmjet Artur Shehut dhe Polimer Bejës, ky i fundit i përfaqësuar nga Arben Ismailaj, shoqëria “Green Coast” sh.p.k. ka revokuar kontratën ekzistuese të sipërmarrjes me Polimer Bejën.
Më tej, sipas dosjes, “Green Coast” ka lidhur një kontratë të re shkëmbimi me Artur Shehun. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, kompania është bërë pronare e pasurisë së shkëmbyer me Polimer Bejën, ndërsa Artur Shehu ka përfituar pronësinë mbi një sipërfaqe toke dyfish më të madhe, të identifikuar me numrin 68/87.
Një tjetër element që ngre dyshime për hetuesit lidhet me pasurinë e llojit “Kullotë”, me nr. pasurie 29/47 në Zonën Kadastrale 2863 në Vlorë. Sipas dokumenteve, kjo pasuri rezulton të jetë zhvendosur në një pozicion tjetër kadastral, pikërisht në zonën ku po ndërtohet kompleksi “Green Coast Resort 2”.
Nga analiza paraprake e kryer deri tani, hetuesit dyshojnë se është përdorur një skemë përmes së cilës shfrytëzohen të drejtat mbi tokën për të realizuar marrëveshje të reja dhe për të përfituar sipërfaqe ndërtimi në projektet e reja turistike dhe rezidenciale në Palasë. Sipas dosjes, zhvendosja e pasurisë në zonën ku po zhvillohet “Green Coast Resort 2” konsiderohet një nga elementët që po verifikohet në kuadër të hetimeve.
Personat e përmendur në materialet hetimore gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të formës së prerë nga gjykata.
Pjese nga Dosja hetimore:
Personat nën hetim fillimisht janë përpjekur, me anë të shoqërisë tregtare të personit nën hetim Ardian Zykaj, të investojnë tokën në Palasë, të përfituar me dokumenta të falsifikuara; më pas personi nën hetim Arben Ismailaj, i cili vepron de facto për llogari të personit nën hetim Artur Shehu, kryen veprime të shumta, copëzimi e tjetërsimi të pasurisë së paluajtshme, duke vepruar sipas prokurës së lëshuar nga shtetasi Polimer Beja.
Më tej hyn në marrëdhënie shkëmbimi me shtetasin Polimer Beja (i cili përfaqësohet nga vetë personi nën hetim Arben Ismailaj), duke përfituar tokën dhe të drejtat që rrjedhin nga kontrata e sipërmarrjes me “Green Coast” sh.p.k., veprim i cili duket natyrshëm që do të kryhej, marrë parasysh të gjitha veprimet e kryera që nga viti 2009 e në vijim prej tyre në lidhje me këtë sipërfaqe trualli, apo mënyrën e të vepruarit të këtij grupi edhe me toka të tjera të përfituara me dokumenta të falsifikuara.
Duke pasur parasysh këtë mënyrë të vepruarit të grupit, është konstatuar se shoqëria “Green Coast” sh.p.k., pasi ishte lidhur kontrata e shkëmbimit ndërmjet personit nën hetim Artur Shehu dhe Polimer Beja (përfaqësuar nga personi nën hetim Arben Ismailaj), ka revokuar kontratën e sipërmarrjes me shtetasin Polimer Beja.
Më pas kjo shoqëri ka lidhur me personin nën hetim Artur Shehu një kontratë shkëmbimi, ku “Green Coast” bëhet pronar i pasurisë së shkëmbyer me Polimerin dhe Arturi bëhet pronar i një sipërfaqeje toke dyfish më të madhe, atë të numërtuar me nr. 68/87.
Pasuria e llojit “Kullotë” me nr. pasurie 29/47, Zona Kadastrale 2863, volum 5, faqe 105, numër unik 2863005105, adresa Vlorë, është zhvendosur në një pozicion tjetër, në një tjetër zonë kadastrale ku po ndërtohet kompleksi “Green Coast Resort 2”.
Pra, praktikisht, duke përdorur këtë skemë, që shet pasurinë ndërtim sipër tokës, por tokën e përdor për të bërë marrëveshje të reja për të përfituar sipërfaqe ndërtimi në komplekset e reja në ndërtim në Palasë, për më tepër që nga analiza paraprake e deritanishme rezulton të jetë zhvendosur pasuria në vendin ku po ndërtohet “Green Coast Resort 2”.
