ABI Bank pronare e mijëra hektarë tokë në Zvërnec, si u bë pronare?!
Ndërsa prej javësh debati publik është përqendruar te projektet turistike të planifikuara në zonën e Zvërnecit, dokumente publike të disponueshme në platformën Open Data nxjerrin në pah një proces tjetër që ka kaluar pothuajse pa u vënë re: transferimin e qindra hektarëve tokë nga pronarë privatë te bankat dhe më pas në fondet e investimit të krijuara prej tyre.
Sipas dokumentacionit të publikuar, ABI Bank rezulton të jetë një nga institucionet financiare që kontrollon sipërfaqe të konsiderueshme toke në jug të vendit përmes fondeve të investimit dhe shoqërive komandite. Pronat ndodhen kryesisht në zonat e Poros dhe Zvërnecit, në qarkun e Vlorës.
Të dhënat tregojnë se këto pasuri nuk janë blerë drejtpërdrejt nga bankat për qëllime investimi, por kanë kaluar në zotërimin e tyre si rezultat i procedurave të riposedimit pas mosshlyerjes së kredive nga debitorët. Fillimisht të vendosura si kolateral për kredi bankare, tokat janë sekuestruar nga bankat dhe më pas janë transferuar në struktura investimi të krijuara prej tyre.
Një nga rastet e dokumentuara lidhet me krijimin, në qershor 2025, të shoqërisë komandite “Bay View Alternative Investment Fund”. Sipas dokumenteve zyrtare, ABI Bank zotëron 97.03 për qind të investimit në këtë fond. Kapitali i deklaruar arrin në rreth 1.033 miliardë lekë, ose mbi 10.5 milionë euro.
Kapitali përbëhet nga 10 milionë lekë në para dhe dy prona të kategorive pyll dhe livadh, me sipërfaqe totale prej 321 mijë metrash katrorë në zonën e Poros. Këto prona janë vlerësuar me 32.28 euro për metër katror, duke arritur një vlerë totale prej rreth 10.4 milionë eurosh.
Në total, fondet e investimit të lidhura me bankat rezultojnë të kontrollojnë rreth 4.44 milionë metra katrorë tokë, ose 444.1 hektarë, me një vlerë të deklaruar prej dhjetëra milionë eurosh. Të gjitha këto sipërfaqe ndodhen në Poro dhe Zvërnec, zona që prej vitesh konsiderohen ndër më tërheqëset për zhvillimin e turizmit në bregdetin shqiptar.
Dokumentacioni evidenton gjithashtu se për secilin fond janë hartuar raporte vlerësimi nga ekspertë të licencuar për të certifikuar kontributet në kapital. Në rastin e “Sea Land Investment Fund”, raporti i vitit 2020 mban firmën e Ilir Binajt, i cili në tetor 2024 u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.
Megjithatë, dokumentet publike nuk japin përgjigje për disa çështje kyçe. Ende nuk dihet se kush ishin pronarët fillestarë të këtyre tokave, çfarë aktivitetesh ekonomike ushtronin, sa kredi kishin marrë dhe për çfarë qëllimesh. Po ashtu mbetet e paqartë pse bankat zgjodhën t’i transferonin pronat në fonde investimi në vend që t’i nxirrnin në shitje në treg, si dhe nëse këto lëvizje lidhen me projektet turistike që prej vitesh diskutohen për zonën e Zvërnecit dhe Nartës.
Historia e plotë e këtyre pronave, rruga e tyre e transferimit dhe përfituesit e mundshëm të zhvillimeve të ardhshme mbeten ende të paqartë.
