Milionat euro cash, fuçi të groposura dhe apartamente për fshehjen e parave, çfarë zbulon dosja e SPAK për vëllezërit Aliu
Milionat euro cash, fuçi të groposura dhe apartamente për fshehjen e parave, çfarë zbulon dosja e SPAK për vëllezërit Aliu
Karteli kriminal i drejtuar nga Salvatore Shpëtim Aliu dyshohet të ketë pastruar miliona euro në Shqipëri, kryesisht në ndërtimin e vilave apo hoteleve luksoze.
Burime pranë SPAK bëjnë me dije se Isa Aliu ka një rol kyç në menaxhimin dhe pastrimin e parave të kokainës për llogari të vëllait të tij, Salvatore Aliu. Nga hetimet është dokumentuar se grupi i drejtuar nga Isa Aliu ka marrë të paktën 30 milionë euro cash nga vëllai i tij dhe i ka investuar në fushën e ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme, vlera të konsiderueshme të ardhurash.
SPAK thotë se, referuar bisedave në Sky ECC, përcaktohet qartë roli i vëllezërve në këtë grup kriminal të drejtuar nga Salvatore alias Shpëtim Aliu. Ky i fundit, një pjesë të parave të përftuara nga përfshirja e tij në trafikun ndërkombëtar të kokainës, e dërgon në Shqipëri te vëllai i tij Isa Aliu.
Burimet thonë se më datë 30.08.2020 Isa Aliu informon Salvatore Aliun se ka gjendje 6 milionë euro cash. Më 15.09.2020 e informon se ka gjendje 9 milionë e 800 mijë euro.
Ndërsa më 13.09.2020 Salvatore e informon Isain se në vijim do të marrë edhe 20 milionë euro të tjera.
Në komunikimet e zbardhura nga Sky ECC, vëllezërit Aliu flasin edhe për mënyrat e fshehjes së parave. Salvatore Shpëtim Aliu e orienton vëllain sesi mund t’i fshehë paratë; duke i groposur në fuçi 50 litrash, apo edhe duke blerë apartamente të posaçme, me qëllim për t’i fshehur në brendësi të ndarjeve të ambienteve që mund të bëhen nëpër këto ambiente.
Në biseda, Salvatore Aliu shfaqet i shqetësuar për fshehjen e mirë të parave cash, duke i treguar të vëllait që duhet të jenë të kujdesshëm, pasi mund t’u ndodhë ndonjë surprizë edhe nga autoritetet shtetërore, duke qenë se tani janë në nivele të rënda.
Salvatore alias Shpëtim Aliu rezulton se ka furnizuar me kokainë grupimet e Eldi Dizdarit, Dritan Gjikës, Sokol Bibajt, Jetmir Pepajt, Armando Pacanit etj.
Vetëm nga komunikimet e dokumentuara në dosje rezulton se brenda pak javësh vëllezërit Aliu flasin për 6 milionë euro cash, më pas për 9.8 milionë euro dhe për ardhjen e 20 milionë eurove të tjera. Në total, sipas hetimeve, grupi i drejtuar nga Isa Aliu ka marrë të paktën 30 milionë euro cash nga Salvatore Aliu. Janë pikërisht këto shifra, së bashku me investimet e dyshuara në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme, që e vendosin skemën e dyshuar të pastrimit të parave në qendër të hetimit të SPAK ndaj organizatës kriminale të drejtuar nga Salvatore alias Shpëtim Aliu./Vna
