Fri, Jun 19, 2026

Algjeria ankohet në FIFA pas humbjes ndaj Argjentinës, në qendër Messi dhe Mac Allister

Algjeria ankohet në FIFA pas humbjes ndaj Argjentinës, në qendër Messi dhe Mac Allister
  • PublishedJune 19, 2026

Federata Algjeriane e Futbollit (FAF) ka paraqitur një ankesë zyrtare në FIFA pas vendimeve të arbitrimit në ndeshjen e humbur 0-3 ndaj Argjentinës në Kupën e Botës 2026. Federata kundërshton veçanërisht mosndëshkimin me karton të kuq të Lionel Messit pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj mbrojtësit të “Dhelprave të Shkretëtirës”, Aissa Mandi.

Lajmi është raportuar nga mediat algjeriane, përfshirë gazetën sportive Compétition, të cilat citojnë burime zyrtare të federatës.

Në qendër të polemikave ndodhet arbitri polak Szymon Marciniak, i akuzuar se ka marrë vendime që kanë ndikuar ndjeshëm në rrjedhën e ndeshjes së vlefshme për Grupin J të Botërorit.

Sipas ankesës së dërguar në FIFA nga federata algjeriane, episodi i parë i kontestuar ka ndodhur në minutën e 31-të. Lionel Messi, i cili kishte shënuar golin e avantazhit në minutën e 17-të, goditi mbrojtësin algjerian Aissa Mandi në pulpë me takat e këpucëve, por nuk u ndëshkua me asnjë karton. Pamjet e këtij momenti u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale në mbarë botën, duke shkaktuar debat të madh rreth arbitrimit.

Episodi i dytë për të cilin ankohet Algjeria ndodhi në minutën e 74-t. Mesfushori argjentinas Alexis Mac Allister goditi me bërryl sulmuesin algjerian Ibrahim Maza, i cili mbeti i shtrirë në fushë pas goditjes në fytyrë. Edhe në këtë rast, sipas federatës algjeriane, nuk pati asnjë reagim nga arbitri dhe as ndërhyrje nga sistemi VAR.

Federata Algjeriane kërkon që FIFA të shqyrtojë me kujdes këto episode, duke argumentuar se vendimet e arbitrimit kanë ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në rezultatin dhe ecurinë e ndeshjes kundër Argjentinës.