Sori Al u dha salçiçe në darkë…si u helmuan për herë të dytë 50 studentë të Akademisë së Sigurisë
Gazetari Igli Çelmeta ka zbuluar përmes një lidhjeje direkte në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN të tjera detaje nga helmimi i rreth 50 kursantëve te Akademia e Sigurisë, ngjarje që përsëritet për herë të dytë brenda një kohe të shkurtër.
Gazetari tregon se kursantët kanë konsumuar në orën 09:00 darkën, që ka pasur në meny fasule, salçiçe dhe kos. Brenda një ore ata kanë shfaqur simptomat e helmimit, si të vjella, dhimbje koke dhe këputje.
Sipas Çelmetës kemi të bëjmë me një skandal, pasi ngjarja ndodh dy herë radhazi brenda një kohe të shkurtër, dhe ende s’kemi reagim nga institucionet përgjegjëse.
“Mensa e Akademisë së Sigurisë, që u mbyll për një kohë, si duket është hapur sërish, madje kompania Sori-Al që u pezullua në rastin e parë, ka nisur aktivitetin dhe i ka dërguar sërish ushqim me katering. Kam pasur kontakte që në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, me studentë të Akademisë së Sigurisë, të cilët rreth orës 10:00 shfaqën simptoma, si të vjella, dhimbje koke, temperaturë dhe këputje, dhe gjysma janë transportuar në spital. Sipas informacioneve dhe komunikimeve që kam pasur me kursantë, rreth orës 09:00 kanë konsumuar vaktin e darkës, duke konsumuar fasule, salçiçe dhe kos. Një orë pasi kanë konsumuar vaktin kanë nisur simptomat e para. Ende nuk ka një njoftim zyrtar nga institucionet përgjegjëse lidhur me këtë skandal, sepse brenda 1 muaj e gjysmë ndodh dy herë radhazi”.
