AKU e zhbllokoi “SORI-AL”, Prokuroria nuk hetoi
NGA VNA:
Dy muaj më parë, 56 kursantë të Akademisë së Sigurisë u helmuan pas konsumimit të ushqimit në ambientet e institucionit. Analizat zyrtare konstatuan se një mostër makaronash ishte e kontaminuar me bakteret Escherichia coli dhe stafilokok.
Sot, për herë të dytë brenda pak muajsh, dhjetëra kursantë të tjerë kanë përfunduar në spital me simptoma të ngjashme. Hetimet sapo kanë nisur dhe mbetet ende për t’u përcaktuar zyrtarisht shkaku i episodit të ri.
Por nëse në rastin e parë përgjegjësia kryesore rëndonte mbi kompaninë furnizuese, në rastin e dytë përgjegjësia shtrihet po aq mbi AKU-në dhe Prokurorinë e Tiranës, të cilat me veprimet dhe mosveprimet e tyre krijuan hapësirë që ngjarja të përsëritej.
Qëndrimet kontradiktore të AKU
Siç raportoi atëherë VNA, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i drejtuar nga Blerina Gjylameti, institucioni që duhej të merrte rolin kryesor në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e përgjegjësive, ndërmori një seri veprimesh që më shumë shtuan paqartësinë sesa ndihmuan në sqarimin e rastit.
AKU shfaqi kontradikta të forta në deklaratat publike lidhur me helmimin e 52 studentëve të Akademisë së Sigurisë në Sauk.
Në reagimin e parë zyrtar, AKU urdhëroi bllokimin e aktivitetit të kompanisë “SORI-AL”, pasi një mostër makaronash e marrë në kuzhinën e Akademisë rezultoi jokonforme për shkak të pranisë mbi normë të baktereve Escherichia coli dhe Staphylococcus koagulazë-pozitive.
Më pas, institucioni njoftoi se kontrollet ishin shtrirë edhe në ambientet e Garnizonit “Skënderbej”, pranë Forcave të Armatosura, ku përgatitej ushqimi për Akademinë e Sigurisë. Sipas AKU-së, problematikat higjieno-sanitare dhe rezultatet jokonforme të analizave çuan në pezullimin e aktivitetit edhe në këtë ambient.
Megjithatë, vetëm pesë ditë më vonë, AKU ndryshoi qëndrim duke zhbllokuar aktivitetin e subjektit. Sipas arsyetimit zyrtar, mostrat e higjienës ambientale dhe të pajisjeve të punës, të analizuara pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, rezultuan brenda normave të lejuara.
Ky ndryshim i menjëhershëm ngriti pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si po administrohej rasti. Nga njëra anë flitej për produkte me ngarkesë bakteriale mbi normë dhe mungesë standardesh higjieno-sanitare, ndërsa nga ana tjetër deklarohej se analizat rezultonin brenda parametrave të lejuar. AKU nuk dha asnjë sqarim të plotë mbi këtë mospërputhje.
Dyshimet u shtuan edhe më tej për faktin se institucionet publikuan njoftime të njëpasnjëshme, ndërkohë që hetimet nuk kishin përfunduar ende. Në raste të tilla, transparenca do të kërkonte përfundimin e plotë të verifikimeve dhe publikimin e një raporti të detajuar zyrtar, në mënyrë që opinioni publik të kishte një panoramë të qartë të ngjarjes.
Në vend që të luante rolin kyç në zbardhjen e incidentit, mënyra e komunikimit të AKU-së krijoi më shumë konfuzion dhe paqartësi, si për hetimin e ngjarjes, ashtu edhe për informimin publik. Ndërkohë, i vetmi rezultat konkret mbeti fakti që kompania vijoi aktivitetin normalisht.
Përgjumja e Prokurorisë
Po aq përgjegjësi në përsëritjen e ngjarjes mban edhe Prokuroria e Tiranës, e drejtuar nga Arens Çela.
Pas helmimit të parë, Prokuroria njoftoi nisjen e hetimeve. Në media u raportuan disa zhvillime lidhur me ecurinë e çështjes, ku fillimisht u bë e ditur se organi i akuzës nuk kishte marrë ende dokumentacionin dhe analizat përkatëse nga AKU, pavarësisht dy kërkesave zyrtare drejtuar institucionit.
Më pas, Prokuroria njoftoi se kartelat mjekësore të studentëve të Akademisë së Sigurisë ishin dërguar pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore për të përcaktuar shkakun e helmimit.
Ndërkohë, më 19 maj, ish-drejtori i AKU-së për Tiranën, Ersid Hasanllari, si dhe Flutura Polaci, drejtoreshë e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, u pyetën nga Prokuroria e Tiranës në cilësinë e personave që kishin dijeni për çështjen.
Më pas, javët kaluan dhe Prokuroria nuk publikoi asnjë konkluzion mbi ngjarjen. Kush mbante përgjegjësi penale për helmimin masiv? A u identifikuan përgjegjësit? A u morën masa për të parandaluar përsëritjen e një episodi të ngjashëm?
Deri më sot, nuk ka asnjë përgjigje.
Kompania “SORI-AL” e Alma Tafanit, strumbullari i ngjarjes
Kompania “SORI-AL” mbetet në qendër të të gjithë skandalit dhe përbën hallkën kryesore që AKU dhe Prokuroria e Tiranës duhej të kishin verifikuar në detaje.
“SORI-AL”, e kontraktuar për shërbimin e kateringut në Akademinë e Sigurisë, është në pronësi të Alma Tafanit, bashkëshortes së Nikolin Jakës, kreut të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë.
Në shkurt të vitit 2025, kompania fitoi tenderin për “Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi për punonjësit e Policisë së Shtetit, studentët dhe kursantët në Akademinë e Sigurisë”, me një vlerë prej 2.7 miliardë lekësh. Sipas kontratës, “SORI-AL” ka detyrimin të sigurojë tre vakte ushqimore në ditë deri në vitin 2027.
Dy incidentet në Akademinë e Sigurisë vënë tashmë në pikëpyetje jo vetëm sigurinë e këtij shërbimi, por edhe kontratat e tjera që kompania administron në institucione të ndjeshme publike.
Nëse hetimi vërteton përgjegjësinë e kompanisë në helmimin e studentëve, atëherë rreziku mund të jetë shumë më i gjerë. Kompania e Alma Tafanit rezulton të ketë shtrirë aktivitetin e saj në institucione ku standardet e sigurisë dhe kontrollit duhet të jenë maksimale.
“SORI-AL” ofron ushqim edhe për Spitalin Psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë, Spitalin Rajonal të Beratit, Repartin Ushtarak nr. 5004 në Zall-Herr, si dhe Repartin Ushtarak nr. 5001 (AFA) në Tiranë, pranë Ministrisë së Mbrojtjes.
Nëse edhe hetimi i dytë konfirmon probleme me ushqimin, atëherë nuk do të bëhet më fjalë për një incident të izoluar, por për një dështim serioz të sistemit të kontrollit shtetëror, ku alarmi u dha që në muajin maj, por nuk prodhoi asnjë mekanizëm efektiv për të parandaluar përsëritjen e ngjarjes.
Tendera miliona euro në mungesë të garës
“SORI-AL” është kthyer në një nga përfitueset më të mëdha të fondeve publike në sektorin e ushqimit. Analiza e procedurave tenderuese tregon se në shumë raste kompania është shpallur fituese ose pa garë fare, ose përmes skualifikimit të operatorëve të tjerë ekonomikë.
Vetëm gjatë dy viteve të fundit, kompania ka përfituar gjashtë tendera nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, kontrata që vijojnë të jenë aktive:
• Gusht 2024 – Fituese e tenderit me vlerë 1.1 miliardë lekë për Spitalin Rajonal të Beratit.
• Tetor 2024 – Fituese e Lotit 1 për Repartin Ushtarak nr. 5001 në Tiranë, me vlerë 4 miliardë lekë, pa asnjë konkurrent në garë.
• Nëntor 2024 – Siguron “Minikontratën 1” për të njëjtin repart, me vlerë 3.4 miliardë lekë, sërish në mungesë konkurrence.
• Nëntor 2024 – Fiton Lotin 2 për Repartin Ushtarak nr. 5004 në Zall-Herr, me vlerë 708 milionë lekë, si operatori i vetëm pjesëmarrës.
• Nëntor 2024 – Shpallet fituese e tenderit për Spitalin Psikiatrik të Vlorës me vlerë 3.1 miliardë lekë, pasi konkurrenti tjetër u skualifikua, megjithëse kishte paraqitur ofertë ekonomikisht më të favorshme.
