“Allegri Day”, nis një epokë e re te Napoli, sot ish tekniku i kuqezinjve firmos me nënkampionët e Italisë
Epoka e Massimiliano Allegrit te Napoli është gati të nisë. Pas largimit të Antonio Contes, presidenti Aurelio De Laurentiis ka vendosur t’ia besojë pankinën teknikut nga Livorno, pavarësisht se ai e mbylli aventurën te Milani me shkarkim dhe pa arritur të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampioneve.
Gjatë ditës së sotme priten zhvillime të rëndësishme. Allegri do të takohet me drejtuesit e Milanit për të zgjidhur me mirëkuptim kontratën që e lidh me kuqezinjtë deri në vitin 2027. Pas përfundimit të kësaj procedure, trajneri do të jetë i lirë të firmosë zyrtarisht me Napolin.
Sipas mediave italiane, prezantimi i tij pritet të zhvillohet gjatë grumbullimit veror të skuadrës në Folgarida, i planifikuar nga 17 deri më 27 korrik.
Aurelio De Laurentiis ka shprehur prej kohësh vlerësimin e tij për Allegrin dhe tashmë palët kanë arritur një marrëveshje për një kontratë trevjeçare, e vlefshme deri në vitin 2029. Synimi i presidentit të Napolit është të hapë një cikël të ri fitues, duke e mbajtur skuadrën konkurruese në Serie A dhe njëkohësisht duke synuar sukses edhe në arenën europiane.
Në këtë mënyrë do të përsëritet skenari i vitit 2014, kur Allegri mori drejtimin e Juventusit pikërisht pas largimit të Antonio Contes. Një periudhë që rezultoi jashtëzakonisht e suksesshme për bardhezinjtë, të cilët fituan pesë tituj radhazi kampionë të Italisë dhe arritën në dy finale të Ligës së Kampioneve.
Pasi të mbyllet zyrtarisht marrëveshja për ndërprerjen e kontratës me Milanin, Allegri dhe Napoli do të finalizojnë detajet e fundit përpara njoftimit zyrtar, i cili pritet të bëhet gjatë kësaj jave. Numërimi mbrapsht ka nisur.
