Wimbledon/ Nis turneu prestigjoz, fitore jo pa vështirësi për Sinner dhe Djokoviç
Ka ngritur siparin në Londër turneu i Wimbledonit, eventi më prestigjioz i tenisit në fushat me bar, me ndeshjet e para që kanë dhuruar emocione dhe përballje të forta.
Te meshkujt, numri një i botës, italiani Jannik Sinner, e nisi me shumë vështirësi rrugëtimin e tij. Ai siguroi kualifikimin për në raundin e dytë vetëm pas një beteje që zgjati mbi tri orë, duke mposhtur me rezultatin 3-2 serbin Miomir Kecmanovic.
Me vështirësi kaloi edhe Novak Djokovic. Serbi triumfoi 3-1 ndaj kinezit Yibing Wu, duke konfirmuar eksperiencën e tij në momentet vendimtare të ndeshjes.
Biletën për në raundin e dytë e prenë edhe Daniil Medvedev, që fitoi pastër 3-0 përballë Marin Cilic, amerikani Tommy Paul, po me rezultatin 3-0 ndaj Alexandre Muller, si dhe greku Stefanos Tsitsipas, i cili nuk hasi probleme në suksesin 3-0 kundër Hugo Gaston.
Edhe te femrat nuk munguan rezultatet e rëndësishme. Naomi Osaka e nisi me fitore rikthimin e saj në Wimbledon, duke mposhtur 2-0 francezen Elsa Jacquemot. Pa asnjë vështirësi avancoi edhe amerikania Coco Gauff, që fitoi 2-0 ndaj gjermanes Tamara Korpatsch.
Në raundin e dytë u kualifikuan gjithashtu rusja Mirra Andreeva, fituese e Roland Garros vetëm një muaj më parë, kampionia në fuqi Barbora Krejcikova, si dhe amerikania Jessica Pegula, të cilat konfirmuan statusin e tyre si pretendente për fazat e avancuara të turneut.
