Grushta në mes të Bllokut! Nadir Çausholli i CFO Pharma kallëzohet për kanosje
Grushta në mes të Bllokut! Nadir Çausholli i CFO Pharma kallëzohet për kanosje
Nadir Çausholli, pronari i kompanisë farmaceutike “CFO Pharma” është përfshirë në një sherr banal dhe të dhunshëm. Ngjarja ka ndodhur mesditën e kësaj të Hëne (6 korrik 2026), në zemër të ish-Bllokut, pranë qendrës së Tiranës.
Në një video të siguruar nga “Boldnews.al” dallohet Çausholli, duke u përleshur me një person tjetër, i cili mësohet se është pronari i një lokali në zonë.
Për momentin, nuk është i qartë motivi, por redaksia mëson se i dëmtuari ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj Çaushollit për “kanosje” dhe “shkatërrim prone”.
Nga pamjet video duket Nadir Çausholli, i veshur me këmishë të bardhë, që tenton të godasë një person tjetër, i cili nuk është në fokusin e kamerave të sigurisë së zonës.
Acarimi i Çaushollit duket shumë i madh. Në fillim të videos, ai duket se ka ngritur duart, në shenjë “paqeje”. Por, po në atë moment, ai tenton të godasë personin tjetër me shkelm. Disa persona të tjerë tentojnë që të shuajnë gjakrat mes palëve. Por, bosi i kompanisë farmaceutike duket i vendosur të vazhdojë konfliktin fizik, megjithëse shoqëruesit e tij në lokal e largojnë nga ambjenti, duke e nxjerrë në trotuar.
