Thu, Jul 9, 2026

OBP nën sitën e SPAK, hetohen tenderat e “e-Gate” në portin e Durrësit dhe Sarandës

OBP nën sitën e SPAK, hetohen tenderat e “e-Gate” në portin e Durrësit dhe Sarandës
  • PublishedJuly 9, 2026

OBP nën sitën e SPAK, hetohen tenderat e “e-Gate” në portin e Durrësit dhe Sarandës

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur verifikimet lidhur me procedurën e një tenderi për instalimin e portave elektronike “e-Gate” në portet e Durrësit dhe Sarandës, ku dyshohet për parregullsi në mënyrën e shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjes. Hetuesit kanë kërkuar dokumentacionin e plotë të procedurës së prokurimit, përfshirë vlerësimin e ofertave, procesin e ankimimit dhe vendimet e marra gjatë shqyrtimit të çështjes.

SPAK zbarkon në KPP, shkelësit nuk do shpëtojnë

Procedura e prokurimit ishte zhvilluar në muajin maj nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara. Fillimisht kontrata iu dha dy kompanive që kishin paraqitur një ofertë rreth 37% më të ulët se fondi limit, duke u konsideruar një zgjidhje me kosto më të ulët për buxhetin e shtetit. Pas një ankimi nga një prej kompanive pjesëmarrëse, Komisioni i Prokurimit Publik ndryshoi rezultatin fillestar, duke hequr fituesit e parë dhe duke ia kaluar kontratën kompanisë ankuese.

Gjatë verifikimeve, SPAK dyshon se mund të ketë elementë të një afere korruptive dhe po shqyrton edhe rolin e anëtarëve të Komisionit të Prokurimit Publik në këtë proces. Vendimmarrja e KPP-së ka sjellë pezullimin e procedurës dhe bllokimin e projektit për dixhitalizimin e pikave të kalimit kufitar në portet e Durrësit dhe Sarandës. Ndërkohë, institucioni i KPP-së prej disa ditësh nuk funksionon për shkak të përfundimit të mandateve të anëtarëve të tij, duke lënë pezull edhe çështje të tjera të prokurimit publik.