Tue, Jul 21, 2026

Çfarë filmuan kamerat ? Atentatori i maskuar si personazh filmi në Elbasan, fëmijët e ndiqnin duke qeshur para breshërisë së plumbave

Çfarë filmuan kamerat ? Atentatori i maskuar si personazh filmi në Elbasan, fëmijët e ndiqnin duke qeshur para breshërisë së plumbave
  • PublishedJuly 21, 2026

Atentati me tre të plagosur në një lokal në Elbasan i ngjan një skene filmi. InfoNews ka mësuar se autori iu afrua vendit ku kishte planifikuar sulmin i kamufluar me xhup të zi, doreza, paruke bjonde dhe një maskë Halloween.

Pamja e pazakontë e autorit bëri që ai të ndiqej për disa minuta nga pesë fëmijë të rastësishëm, të cilët e shoqëronin me të qeshura duke e konsideruar si pjesë të një loje.

Sipas verifikimeve të kamerave të sigurisë, autori arriti t’u shmangej të miturve dhe më pas hapi zjarr, duke qëlluar shtatë herë drejt klientëve që ndodheshin në verandën e lokalit në lagjen “Banesa”.

Si pasojë e të shtënave mbetën të plagosur Renaldo Mançe, 31 vjeç, Armand Tomorrica, 32 vjeç, si dhe kamarieri i lokalit, 19-vjeçari Bjorgi Hoxha. Fatmirësisht, të tre ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Burime policore bëjnë me dije se asnjëri prej të plagosurve nuk ishte objektivi i atentatit. Sipas të dhënave të siguruara nga InfoNews, shënjestra e autorit dyshohet të ketë qenë shtetasi F. Sharra, i cili ndodhej në të njëjtin ambient në momentin e sulmit.

Pas ngjarjes, autori u largua me shpejtësi, ndërsa në ndjekje të tij u vu një efektiv policie jashtë shërbimit, i cili ndodhej në lokal së bashku me dy fëmijët e tij. Edhe pse pa armën e shërbimit, polici tentoi ta ndiqte autorin, i cili gjatë arratisjes hodhi në tokë pistoletën. Arma është sekuestruar nga grupi hetimor dhe pritet t’i nënshtrohet ekspertizës për sigurimin e provave që mund të çojnë në identifikimin e autorit.

Nga hetimet rezulton se autori është larguar me vrap drejt një përroi, ku më pas ka humbur gjurmët. Ngjarja, e ndodhur në një zonë të konsideruar problematike, ka ngritur dyshime për një përplasje mes grupeve kriminale.

F. Sharra, i cili sipas burimeve policore konsiderohet objektivi i dyshuar i atentatit, mësohet të jetë nipi i një personazhi të njohur të botës së krimit në Elbasan. Megjithatë, gjatë marrjes në pyetje ai ka mohuar të ketë konflikte.

Ndërkohë, Kastriot Kila, i njohur si “Ot Kila”, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke deklaruar se nipi i tij nuk ishte objektiv i sulmit, por ndodhej rastësisht në lokal dhe nuk ka lidhje me ngjarjen.