Dy pista hetimi për aksidentin tragjik në Tiranë
Dy pista hetimi për aksidentin tragjik në Tiranë
Hetimet për aksidentin e rëndë të ndodhur në Unazën Lindore të Tiranës, ku humbën jetën dy punonjës egjiptianë të kompanisë Alba Beton, janë përqendruar në dy pista kryesore: një defekt të mundshëm në sistemin e frenimit të betonieres ose një problem të papritur shëndetësor të drejtuesit të mjetit.
Aksidenti ndodhi kur kamioni, i pajisur me pompë për hedhjen e betonit, hyri me shpejtësi në rrethrrotullim pa shfaqur asnjë shenjë frenimi. Mjeti u përplas fillimisht me automjetin e drejtuar nga 28-vjeçari Roland Nuri, më pas goditi barrierat mbrojtëse dhe përfundoi në nivelin e poshtëm të rrugës.
Si pasojë e përplasjes humbën jetën drejtuesi i kamionit, Mohamed Lotf, 30 vjeç, ndërsa pasagjeri Mohamed Ali, 44 vjeç, ndërroi jetë rreth një orë më vonë në spital.
Dy viktimat kishin mbërritur në Shqipëri rreth një muaj më parë nga Egjipti me vizë pune dhe leje qëndrimi njëvjeçare. Sipas verifikimeve, të dy ishin të pajisur me leje drejtimi përkatëse, ku Lotf kishte patentë për drejtimin e kamionëve, ndërsa Ali punonte si pompist.
Grupi hetimor ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat tregojnë se kamioni hyn në rrethrrotullim me shpejtësi të lartë dhe pa tentativë për frenim, duke ngritur dyshime për një mosfunksionim teknik ose paaftësi të shoferit për të reaguar në momentet vendimtare.
Për zbardhjen e plotë të shkaqeve do të priten rezultatet e ekspertizës mjekoligjore, si dhe ekspertimi teknik i mjetit.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit Volkswagen Passat, i përfshirë në aksident, ka shpëtuar me lëndime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, edhe pse automjeti i tij është shkatërruar pothuajse plotësisht.
Ky aksident rikthen në vëmendje ngjarjen e ngjashme të vitit 2023 në të njëjtën zonë, ku një mjet i tonazhit të rëndë humbi kontrollin në rrethrrotullim, duke ngritur sërish pikëpyetje mbi sigurinë dhe kontrollin teknik të mjeteve të rënda.
