1.2 ton bajame me cianid! U shitën nga Neranxi, Alta Group dhe Albania Smart Distribution
1.2 ton bajame me cianid! U shitën nga Neranxi, Alta Group dhe Albania Smart Distribution
Pavarësisht artikujve të shumtë dhe denoncimeve të vazhdueshme, siguria ushqimore vijon të mbetet një hallkë shumë e dobët e funksionimit të zinxhirit shtetëror. Një tjetër skandal i rëndë ka shpërthyer së fundmi pasi 1158 kilogramë bajame pluhur të ndotura me Acid Hidrocianik janë konsumuar nga shqiptarët përpara se institucionet të kujtoheshin për të reaguar.
Ky përbërës kimik i njohur si cianid hidrogjeni është substancë toksike me veprim të shpejtë që bllokon oksigjenin në qeliza duke shkaktuar dëmtime serioze në organizëm. Disa prej simptomave të helmimit përfshijnë dhimbje koke, marrje mendsh, të vjella dhe vështirësi në frymëmarrje.
Sipas Ora News, AKU ka bërë me dije se bajamet ishin importuar nga Spanja dhe nga kjo sasi e madhe vetëm 42 kilogramë janë asgjësuar, ndërsa pjesa tjetër është konsumuar nga qytetarët.
Subjektet importuese të produktit janë:
• Neranxi SHPK – 800 kg
• Albania Smart Distribution – 300 kg
• Alta Group – 100 kg
Në përgjigjien e dhënë për Ora News, AKU pretendon se produkti ishte shitur para se të njoftoheshin për rrezikun. Pjesa më e madhe është tregtuar në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Durrës dhe Fier.
Bajame pluhur, përdoret gjerësisht në industrinë e pastiçerisë për prodhimin e ëmbëlsirave, përfshirë tortat, biskotat dhe kremrat për mbushjen e kroasantëve, çka rrit numrin e mundshëm të konsumatorëve që mund të kenë rënë në kontakt me këtë produkt.
AKU bëri me dije për Ora News se produkti nuk u analizua në kufi për acid hidrocianik, pasi ky parametër nuk ishte pjesë e planit zyrtar të analizave për këtë kategori.
Duke u nisur nga fakti se përgjegjësi për sigurinë e produkteve ushqimore që hidhen në treg kanë edhe importuesit, Tv Ora News i është drejtuar më kërkese për informacion subjekteve importuese.
Deri në momentin e transmetimit të kësaj kronike kemi patur përgjigje nga Neranxi. Në reagimin zyrtar, subjekti Neranxi shmangu të konfirmojë nëse kishte kryer analiza laboratorike përpara tregtimit të bajameve, ndërkohë ia ka deleguar përgjegjësinë procedurave të kontrollit të AKU-së.
Kompania u shpreh se produkti ishte shoqëruar me dokumentacionin përkatës.
Ky rast ngre pikëpyetje serioze mbi mekanizmat e kontrollit ushqimor në kufi, si dhe mbi procedurat e ndjekura nga subjektet importuese për verifikimin e sigurisë së produktit përpara hedhjes së tij në treg.
Kur dështojnë filtrat e sigurisë, çmimin më të lartë e paguan konsumatori, duke konsumuar ushqime që i rrezikojnë shëndetin.
