Ekstradohet në Shqipëri kimisti kolumbian i drogës në Frakull
Ekstradohet në Shqipëri kimisti kolumbian i drogës në Frakull
Shtetasi kolumbian Saimir Rosales Rodriguez është ekstraduar nga Kolumbia në Shqipëri, ku do të vuajë dënimin me 14 vite burg të dhënë nga Gjykata e Posaçme, pas hetimeve të zhvilluara nga SPAK.
Burime zyrtare bëjnë me dije se Rodriguez iu dorëzua autoriteteve shqiptare në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit. Ai konsiderohet një nga personat kyç të përfshirë në dosjen e laboratorit të kokainës në Frakull dhe njihej me nofkën “Kimisti”, për shkak të rolit të tij të dyshuar në përpunimin e lëndës narkotike.
Rodriguez kishte arritur të largohej nga Shqipëria pas operacionit antikokainë, por u arrestua në shtator të vitit të kaluar nga autoritetet kolumbiane, pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar.
Më 30 qershor, Gjykata e Posaçme e dënoi atë me 14 vite burg, duke pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme. Edhe prokurori i çështjes, Adnand Xholi, kishte kërkuar të njëjtin dënim në konkluzionet përfundimtare.
Sipas dosjes hetimore, shtetasi kolumbian kishte një rol të rëndësishëm në procesin e përpunimit dhe ndarjes së kokainës në laboratorin e zbuluar në Frakull, i cili u çmontua gjatë një operacioni të autoriteteve shqiptare.
