Ndërlikohet pista Alvarez, Barça rikthen vështrimin nga Lautaro Martinez, vjen reagimi i “demit”
Në Barcelonë, që nga dita kur vendosën të mos i ofronin Robert Lewandowski-t rinovimin e kontratës, drejtuesit e klubit kanë menduar për pasuesin e tij. Dëshira e tyre e parë dhe më e madhja ka qenë dhe mbetet Julian Alvarez, por njëkohësisht është edhe objektivi më i ndërlikuar, me Atletico Madrid që nuk preferon të futet fare në negociata. Së fundmi, Atletico shpërfilli një ofertë prej 150 milionë euro të ardhur nga Real Madrid, ndërsa ka një klauzolë largimi prej 500 milionë euro. Në këto kushte, të vetëdijshëm se t’i rrëmbejnë Atleticos “bomberin” argjentinas nuk do të jetë e lehtë, Barcelona është e detyruar të studiojë tregun për një tjetër opsion.
Sipas mediave spanjolle, Deco i është rikthyer edhe një herë pistës Lautato Martinez, një dëshirë e vjetër e drejtuesve të Barçës. Sigurisht, t’i rrëmbesh Inter kapitenin dhe liderin e ekipit nuk është e lehtë, por Barça do tentojë edhe një herë me shpresën që diferencën ta bëjë dëshira e lojtarit.
Për momentin, Martinez duket se nuk ka ndërmend të largohet nga Milano, jo vetëm kaq, por me anë të një reagimi në rrjetet sociale theksoi se ndihet i lumtur tek Inter: “I lumtur që jam rikthyer. Për të nëntin vit, me të njëjtën dëshirë dhe ambicie si gjithnjë, forca Inter”, shkruan Martinez në rrjetet e tij sociale, një mesazh i qartë për Barcelonën apo çdo skuadër tjetër që kërkon shërbimet e tij.
