Wed, Aug 12, 2026

Lufta virtuale e ‘Diellës’ me korrupsionin në tendera mbetet në vendnumëro

Lufta virtuale e ‘Diellës’ me korrupsionin në tendera mbetet në vendnumëro
  • PublishedAugust 12, 2026
Diella | Foto nga Kryeministria.al.

Në shtator të vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare me emërimin në kabinetin e tij të “Diellës” – një chatbot virtual i integruar deri atëherë në platformën e-Albania të shërbimeve qeveritare digjitale.

Sipas tij, “Diella” do të luante rolin e ministres së Shtetit për Inteligjencën Artificiale me një detyrë specifike; çlirimin e tenderave publikë nga korrupsioni.

Por ndërsa sensacioni është zbehur një vit më pas, roli i saj konkret mbetet ende i paqartë.

Në Agjencinë e Prokurimit Publik, institucionin ku pritet të testohet Inteligjenca Artificiale, puna duket ende në fazën përgatitore.

“Ka një projekt për zhvillimin e një sistemi prokurimesh me AI, por është ende në proces,” tha Reida Kashta, drejtoreshë e kësaj agjencie, e pyetur nëse agjencia kishte nisur përdorimin e Inteligjencës Artificiale në prokurimet publike.

Sipas saj, “sapo është përfunduar hartimi i termave të referencës (ToR)”, dokumenti që përcakton kriteret teknike për hapjen e tenderit që do të kontraktojë kompaninë përgjegjëse për ndërtimin e sistemit.

Sistemi i prokurimeve publike konsiderohet prej vitesh si një nga sektorët më të ekspozuar ndaj korrupsionit në Shqipëri. Hetimet e SPAK kanë zbuluar në disa raste skema të manipulimit të tenderëve, ku fituesit ishin paracaktuar përpara zhvillimit të procedurave, ndërsa kontratat për ndërtimin e rrugëve, inceneratorëve apo investimeve të tjera publike janë bërë objekt hetimi për dyshime mbi favorizimin e operatorëve ekonomikë dhe shkeljen e rregullave të konkurrencës.

Ambicia e qeverisë për të integruar Inteligjencën Artificiale në këtë sektor shihet me skepticizëm nga opozita dhe nga ekspertë të politikave publike për shkak të rrisqeve të sigurisë që mbart, mungesës së kapaciteteve njerëzore dhe paqartësive ligjore.

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, tha për BIRN se përdorimi i IA mund të shërbejë si një mjet ndihmës për administratën, por nuk mund të zëvendësojë përgjegjësinë ligjore të institucioneve apo të garantojë vetvetiu luftën kundër korrupsionit.

Sipas tij, pa një bazë të qartë kushtetuese dhe ligjore, ngritja e një “ministri virtual” krijon paqartësi mbi përgjegjësinë për vendimmarrjen, sidomos në një sektor të ndjeshëm si prokurimet publike.

“Diella nuk e zgjidh korrupsionin. Përkundrazi, ngre një pyetje themelore: kush mban përgjegjësi për vendimet që ndikon një sistem që nuk ka status të përcaktuar ligjërisht?”, tha Balliu.

Sipas tij, një sistem virtual mund të ndihmojë në rritjen e efikasitetit dhe identifikimin e parregullsive, por “nuk mund të zëvendësojë transparencën, kontrollin dhe përgjegjësinë njerëzore”.

Edhe ekspertët e politikave publike e shohin me shqetësim përdorimin e Inteligjencës Artificiale në prokurime pa pasur një kuadër të plotë ligjor, institucional dhe teknik.

Alba Brojka, eksperte e pavarur për politikat digjitale, thotë se Inteligjenca Artificiale nuk mund të trajtohet si një “zgjidhje me shkop magjik” për probleme komplekse si korrupsioni, por vetëm si një mjet për rritjen e eficiencës dhe automatizimin e proceseve administrative.

“Është njëlloj si thika, e cila mund të përdoret për të prerë bukë ose sulmuar njerëz. Aq më tepër që sipas parimit të UNESCO-s mbi përdorimin etik te IA, vendimmarrja i takon ekspertit/njeriut në fund dhe jo teknologjisë,” tha Brojka, duke i cilësuar fjalimet politike për luftën kundër korrupsionit si të pambështetura.

Në këtë kontekst, ajo e sheh përdorimin e IA si “një justifikim për një problematikë disavjeçare”,  pa rregulluar më parë ‘hendekun ligjor dhe kapacitetet institucionale.

Edhe për Aranita Brahaj, drejtuese e Institutit Shqiptar të Shkencave (AIS), përdorimi i IA-së në prokurime nuk mund të shihet si një zgjidhje e problemeve me tenderat pa konsoliduar bazën ligjore dhe përgatitjen e një metodologjie të re për të monitoruar aplikimin e këtyre sistemeve dhe eficensën e tyre

“Shqipëria ende nuk ka kuadër nënligjor të plotësuar dhe, mbi të gjitha, ky proces vjen në një moment ku kontraktimi publik po shfaq problematika të theksuara,” tha Brahaj.

Sfida të shumëfishta

Në funksion të ambicies për futjen e sistemeve dixhitale në politikat publike, qeveria ndryshoi në 2024 ligjin për “Prokurimin publik” për të përfshirë dispozita që mundësojnë përdorimin e IA në proceset e prokurimit.

Sistemet e teknologjisë së avancuar parashikohet të përdoren kryesisht për hartimin e kërkesave në fazën para-tenderuese, mbështetjen e sistemit dinamik të blerjes dhe ankandeve digjitale, funksionimin e Sistemit Digjital të Ankesave dhe monitorimin e zbatimit të kontratave.

Drejtoresha e APP-së, Kashta, thotë se ky ligj është baza ligjore për përdorimin e AI në procesin e prokurimit.

Por ekspertët besojnë se këto dispozita ligjore nuk krijojnë një bazë të plotë, që i përgjigjet të gjitha sfidave që ka përdorimi i teknologjive dixhitale, ndërsa mbetet ende pa u miratuar një strategji e qeverisë për përdorimin e IA dhe një ligj i ri, i cili është ende në fazën e konsultimit.

“Do duhej që këto akte kyçe horizontale, përtej legjislacionit sektorial, të ishin në fuqi dhe po ashtu, do duhej që institutcionet e përcaktuara në projektligjin për IA-në të kishin kompetenca të qarta dhe kapacitete zbatuese, që ne efektivisht të nisnim zbatimin e IA-së në prokurime publike,” thotë Brojka.

Sipas saj, kjo do të garantonte mekanizma kontrollues, monitories të pavarur, licensim dhe regjistrim të sistemeve të IA sipas kategorizimeve që ligji përcakton, auditim të algoritmeve si dhe mekanizma efektivë për të denoncuar shkeljen e të drejtave.

Por edhe miratimi i ligjit të ri nuk i zgjidh problematikat e sigurisë me të cilat shoqërohet implementimi i sistemeve IA, pasi sipas Brojkës, mungojnë kapacitetet institucionale për mbrojtjen e të dhënave.

“Ne jemi përballë mungesës së kapaciteteve nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave për të monitoruar aktorët privatë, publikë apo platformat e ndryshme dhe do të ishte një sfidë akoma më e madhe t’i kërkohej po të njëjtit institucion të bënte monitorim të të dhënave për aktorë që përdorin IA, pasi kjo nuk është realiste,” shtoi ajo.

Brojka flet për “sfida të shumëfishta” në aplikimin e sistemeve IA në politika publike dhe apelon që aplikimi i IA të ecë paralelisht me llogaridhënien dhe transparencën e institucioneve.

Ajo identifikon si sfida themelore, mungesën e një analize që përcakton problemet konkrete që teknologjia duhet të zgjidhë, cilësinë e të dhënave dhe kapacitetet e APP-së për të kuptuar, trajnuar dhe monitoruar modelet. Ajo thekson gjithashtu nevojën për metodologji të qarta të përdorimit të përgjegjshëm dhe auditimit, duke nënvizuar se, pavarësisht asistencës së AI, përgjegjësia për vendimmarrjen përfundimtare në prokurime duhet të mbetet te njerëzit.

“Të gjitha këto janë sfida të cilat mbeten për t’u adresuar nga APP, dhe duket se institucionet nuk e kuptojnë ende tërësisht këtë cikël përgatitor, por përkundrazi janë të nxitur nga një narrative politike, e cila është larg kushteve që duhen përmbushur për një përdorim të përgjegjshëm të IA-së,” theksoi Brojka.

Brahaj paralajmëron gjithashtu se implementimi do të kërkojë kohë dhe ka nevojë për monitorim. Po aq e rëndësishme, sipas saj, është se si do aplikohet algoritmi i vlerësimit, i kualifikimit dhe dedektimit të riskut në tenderim dhe sa gati është edhe biznesi të konkurrojë dhe apelojë në kushte të aplikimit të IA.

Po ashtu, shton Brahaj, do të duhet që auditimi i brendshëm dhe KLSH si auditues i jashtëm të zhvillojnë një metodologji të re.

“Në të kundërt, kjo do të mbetet një reformë me dështime, ku institucionet shqiptare thjesht do të krijojnë një grup problemesh dhe defektesh që do shërbejnë si ‘laborator’ për të mësuar të tjerët,” përfundoi Brahaj.