Zjarri në hotel Brooklyn në Vlorë, 7 të plagosur
Vlorë – Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu mëngjesin e sotëm një godinë në Lungomare të Vlorës, ku ndodhej edhe hoteli “Brooklyn”. Sipas InfoNews.al, flakët nisën fillimisht në një lokal në katin e parë të godinës dhe më pas u përhapën në katin e dytë, ku ndodheshin ambientet e hotelit, si edhe në fasadën e ndërtesës.
Situata u përkeqësua me shpejtësi për shkak të tymit të dendur. Disa prej pushuesve që ndodheshin në hotel u detyruan të dilnin në ballkone për t’i shpëtuar flakëve. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur disa prej tyre kalojnë barrierat mbrojtëse dhe hidhen nga ballkonet për të shpëtuar.
Si pasojë e zjarrit, 7 persona kanë mbetur të lënduar. Gjashtë prej tyre janë shtetas të Kosovës, ndërsa një është nga Rrësheni. Të plagosurit u transportuan në spital, ndërsa pesë prej tyre u nisën drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Dy pacientë janë dërguar në Spitalin e Traumës për shkak të frakturave, ndërsa tre të tjerë janë transportuar në departamentin e djegieve në QSUT. Një tjetër i lënduar po merr trajtim në repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Vlorës. Një vajzë raportohet se është në gjendje të rëndë, pasi ka pësuar djegie të shumta.
Në hotel ndodheshin edhe turistë të huaj, mes tyre shtetas nga Polonia dhe Ukraina.
Sipas të dhënave paraprake të raportuara nga InfoNews.al, dyshohet se zjarri ka nisur nga dy frigoriferë të vendosur në hyrje të lokalit, të cilët mund të kenë pësuar një defekt në qarkun elektrik. Megjithatë, shkaku përfundimtar pritet të përcaktohet nga hetimet.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet zjarrfikëse dhe forcat e Policisë, të cilat ndërhynë për lokalizimin e flakëve dhe evakuimin e godinës. Për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit dhe rrezikut nga tymi, ndërtesa u boshatis.
Godina ka pësuar dëme të konsiderueshme dhe është dëmtuar thuajse tërësisht. Ndërkohë, Policia dhe strukturat përkatëse kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e zjarrit.
