Thu, Aug 20, 2026

FORMULA 1/ Rinis lufta për fronin, kush mund ta rrëzojë Antonelin?

FORMULA 1/ Rinis lufta për fronin, kush mund ta rrëzojë Antonelin?
  • PublishedAugust 20, 2026

Në garën e fundit në Hungari erdhi fitorja e parë e vitit për Lando Norris dhe MekLarenin e tij. Në podium u ngjitën gjithashtu Maks Vershtapen dhe Kimi Antoneli. Pas gati një muaji pushim, ka ardhur momenti që 11 skuadrat dhe 22 pilotët e Kampionatit Botëror 2026 të rikthehen në pistë. Protagonistët e këtij sezoni janë tashmë gati për garën e dymbëdhjetë të kampionatit, të parën pas katër javësh pa gara, pikërisht Çmimin e Madh të Holandës, që do të zhvillohet në pistën e Zandvoortit, nga e premtja, 21 gusht, deri të dielën, 23 gusht. Bëhet fjalë për një nga pistat më të shkurtra dhe më të ngushta të kampionatit, e cila do të largohet nga kalendari i F1 pikërisht pas garës së këtij viti. Të gjithë janë kuriozë të shohin raportet e forcave pas pushimit veror.

“Cirku” i Formula 1 rikthehet sërish te pika e tij e referimit, Mercedesi i Andrea Kimi Antonelit. Skuadra gjermane dhe piloti i ri italian kryesojnë dy klasifikimet e kampionatit. Antoneli bëri një paraqitje shumë të mirë në Hungari, duke u ngjitur në podium, edhe pse gara për të nuk kishte nisur në mënyrën më të mirë.

Nëntë podiume në 11 gara, së bashku me gjashtë fitore, përfshirë edhe vendin e tretë në Budapest, ku edhe një herë përfundoi përpara shokut të skuadrës, Xhorxh Rasëll. Britaniku, i cili këtë vit ka fituar dy gara, u rendit i shtati në Hungari dhe në klasifikimin botëror mbetet i treti, 59 pikë pas Antonelit.

Për momentin, Rasëll nuk duket në gjendje të përmbysë raportet e forcave te Mercedesi, i cili çuditërisht nuk ka fituar asnjë nga pesë garat e fundit të zhvilluara në Holandë.

Koha e vendimeve po afron edhe te Ferrari, që vazhdon të jetë i dyti në klasifikimin e konstruktorëve, 72 pikë larg kreut. Në Budapest objektivi ishte fitorja, por në fund nuk erdhi as podiumi, Sharl Leklerk u rendit i katërti, ndërsa Luis Hamilton, për shkak të një tjetër penalizimi, përfundoi i pesti.

Nëse Ferrari dëshiron të luftojë për titullin, duhet të mbështetet te njëri prej dy pilotëve. Hamiltoni është i dyti në kampionat, 50 pikë pas kreut, ndërsa Leklerku është i katërti, 81 pikë larg.

Tani priten përditësimet teknike, mes tyre edhe motori i ri me zhvillimet e lejuara nga FIA, i cili do të mbërrijë në të shumëpriturin Çmimin e Madh të Italisë në Monza.

Duhet mbajtur nën vëzhgim edhe MekLareni, që pikërisht në Hungari siguroi fitoren e parë të vitit me kampionin në fuqi të botës, Lando Norris. Ai fitoi në Zandvort në vitin 2024, ndërsa në vitin 2025 u tërhoq për shkak të një problemi me motorin, në një moment kur kampionati dukej se po shkonte drejt Oskar Piastrit, fituesit të garës në këtë pistë vitin e kaluar dhe pilotit që u tërhoq në garën e fundit në Budapest.

Gara në Holandë do të jetë gara e shtëpisë për Maks Verstapenin, i cili ka dalë në shkallën më të lartë të podiumit në Zandvort për tri vite radhazi, në 2021, 2022 dhe 2023.

Me Red Bullin, Vershtapeni u ngjit gjithashtu në podium në garën e Hungarisë, ku u rendit i dyti. Isak Haxhar përfundoi i gjashti.

Pista e Zandvortit, pranë qytetit me të njëjtin emër që shtrihet në brigjet e Detit të Veriut, u përurua në 1939 dhe ka pritur garat e Formula 1 nga 1952 deri në 1985, me disa ndërprerje të vogla gjatë kësaj periudhe.

Pas një pauze të gjatë, F1 u rikthye në Holandë në 2021, megjithëse, siç u përmend, do të largohet sërish nga kalendari pas vitit 2026.

Me pak drejtime të gjata, pista favorizon shumë makinat me ngarkesë të mirë aerodinamike, falë një serie të bukur kthesash me shpejtësi mesatare dhe të lartë, përfshirë edhe kthesat me ngjitje dhe zbritje, si e treta dhe e fundit, të dyja në formë parabole.

Pista është e gjatë 4.259 metra dhe ka 14 kthesa, 10 në të djathtë dhe katër në të majtë. Ajo përshkohet në drejtim të akrepave të orës.

Në këtë pistë ka dy drejtime të gjata, përfshirë edhe atë pranë bokseve, të cilat do të jenë gjithashtu dy zonat e vetme ku mund të aktivizohet sistemi DRS në krahët e përparmë dhe të pasmë.

Parakalimet janë të vështira në kthesat e ndryshme të pjesës qendrore të pistës, ndërsa janë më të lehta në dy frenimet në fund të drejtimeve të gjata.