Greqi/ Shqiptari vret të dashurën dhe më pas veten
Greqi/ Shqiptari vret të dashurën dhe më pas veten
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e së dielës në Nea Smyrni të Athinës, ku 48-vjeçari shqiptar Altin Allmuca dyshohet se ka vrarë me armë 45-vjeçaren Julieta Obzova, gjithashtu shqiptare, dhe më pas i ka dhënë fund jetës.
Dy trupat e pajetë u gjetën në hyrjen e një pallati në rrugën “Grigoriou Kydonion 3”. Sipas të dhënave më të fundit të autoriteteve greke, Allmuca dyshohet se e kishte pritur 45-vjeçaren brenda makinës së tij, jashtë pallatit ku ajo jetonte së bashku me vajzën 16-vjeçare.
Kur Obzova doli nga pallati, 48-vjeçari dyshohet se doli nga automjeti, iu afrua dhe e qëlloi me revolver. Gruaja u rrëzua në hyrje të ndërtesës, ndërsa menjëherë më pas Allmuca dyshohet se drejtoi të njëjtën armë nga vetja dhe u vetëqëllua në kokë.
Revolveri u gjet pranë trupit të 48-vjeçarit, një element që sipas policisë përforcon pistën se ai vrau fillimisht 45-vjeçaren dhe më pas kreu vetëvrasje. Obzova kishte plagë me armë zjarri në trup dhe dyshohet se ishte qëlluar edhe në fytyrë.
48-vjeçari nuk duket se ndodhej rastësisht në vendin e ngjarjes. Policia po përpiqet të zbulojë se sa kohë kishte që po e priste gruan, nëse e dinte paraprakisht se ajo ndodhej në atë apartament dhe çfarë kishte ndodhur mes tyre përpara krimit.
Nga të dhënat e deritanishme nuk rezulton që të dy të kenë qenë të martuar. Ata kishin pasur një marrëdhënie, ndërsa po hetohen rrethanat dhe motivi i krimit. Paraprakisht dyshohet për motive xhelozie.
Një tjetër element që po verifikohet lidhet me një denoncim të bërë nga 45-vjeçarja në korrik të vitit 2024. Sipas medias greke “Protothema”, ajo ishte paraqitur në Komisariatin e Akropolit dhe kishte denoncuar ish-partnerin, pasi pas ndarjes nuk i kishte kthyer një motor. Megjithatë, nuk është ende e qartë nëse personi i denoncuar atëherë ishte Altin Allmuca.
Në fokus të hetimeve është edhe aktiviteti i 48-vjeçarit në rrjetet sociale. Allmuca kishte publikuar foto ku pozonte me armë në duar, ndërsa policia po verifikon nëse armët që shfaqen në këto fotografi kanë lidhje me revolverin e gjetur në vendin e ngjarjes.
Dëshmitë e banorëve ndihmojnë gjithashtu në rindërtimin e dinamikës së krimit. Një grua ka treguar se rreth orës 05:30 dëgjoi tri të shtëna.
“Fqinja tha se në të gdhirë dëgjoi të shtënat. Unë kam këtu shtëpinë e prindërve dhe dëgjova tri të shtëna rreth orës 05:30 të mëngjesit”, tha ajo.
Një tjetër banore tregoi se dëgjoi tri zhurma shumë të forta, me një interval prej disa sekondash mes tyre.
“Papritur dëgjuam tre zhurma shumë të forta. Nuk e dinim nëse ishin të shtëna apo jo. Unë numërova tre. Nuk ishin njëra pas tjetrës, kishte një interval prej tre, katër apo pesë sekondash”, tregoi ajo.
Pak më vonë në zonë mbërriti policia. Hetuesit po mbledhin pamjet e kamerave të sigurisë, dëshmitë dhe të dhënat nga komunikimet telefonike të dy shqiptarëve, për të zbardhur motivin dhe atë që ndodhi përpara krimit.

