“Betejë” pa fund, FIFA “sulmon” UEFA-n: Akuza të pabazuara
Përplasja mes FIFA-s dhe UEFA-s ka hyrë në një fazë të re, tashmë edhe në planin juridik.E ndërsa për javë me radhë ka qenë insitucioni evropian që kishe sulmuar FIFA-n dhe në veçanti drejtuesin e saj Infantinon, tashmë konflikti duket se ka ndryshuar kah.
FIFA ka akuzuar publikisht UEFA-n për një “fushatë njollosjeje” ndaj presidentit Gianni Infantino, lidhur me projektin e dështuar për përfshirjen e investitorëve privatë në të drejtat komerciale të Kupës së Botës.
Në dokumentet e depozituara në Shtetet e Bashkuara, FIFA i cilëson kërkesat e UEFA-s për dokumente dhe dëshmi si një hetim pa objekt të qartë, duke pretenduar se synimi është më shumë mediatik sesa juridik.
Në qendër të konfliktit është projekti FIFA Forward Enterprise, përmes të cilit organizata kishte shqyrtuar mundësinë e shitjes së rreth 20 për qind të aktiviteteve komerciale te investitorë privatë, në një marrëveshje që lidhej me një vlerësim prej rreth 20 miliardë dollarësh. Projekti u ndërpre pas reagimeve të forta.
UEFA, megjithatë, vijon hetimet dhe ka kërkuar dokumente në disa shtete amerikane, me synimin për t’i përdorur ato në një procedurë të mundshme penale në Zvicër.
FIFA i ka hedhur poshtë akuzat për mungesë transparence dhe pretendon se UEFA po përdor gjykatat dhe mediat për të dëmtuar reputacionin e Infantinos. Për momentin, asnjë nga akuzat nuk është provuar përfundimisht, por beteja mes dy institucioneve më të fuqishme të futbollit botëror tashmë është kthyer në një përplasje të hapur juridike dhe politike.
