Thu, Oct 8, 2026

Durrësi zgjedh një kompromis për “Gjergj Kastriotin” dhe vilën romake

Durrësi zgjedh një kompromis për “Gjergj Kastriotin” dhe vilën romake
  • PublishedOctober 8, 2026
Mozaiku i zbuluar në themelet e shkollës “Gjergj Kastrioti” në Durrës. Foto: Gëzim Kabashi.

Territori i shkollës së mesme, “Gjergj Kastrioti” në Durrës, vazhdon të mbetet i shkretë.

Ekspedita arkeologjike që zbuloi një vilë të periudhës romake me mozaikë, terma dhe afreske nuk funksionoi edhe këtë verë, me shpresën se e gjithë sipërfaqja do të ruhej në dispozicion të gërmimeve.

Por së fundmi, Bashkia e Durrësit ka miratuar projektin e shkollës “Gjergj Kastrioti” dhe po bëhet gati të kontraktojë punimet. Projekti është hartuar nga studioja spanjolle e arkitekturës, Toni Girones dhe parashikon bashkëjetesën e shkollës së ardhshme me zbulimin arkeologjik.

“Projekti i shkollës “Gjergj Kastrioti” është dorëzuar pranë  Bashkisë Durrës. Fondi i parashikuar për zbatim është miratuar në buxhetin e Bashkisë, dhe jemi në fazën e procedurës së prokurimit për zbatimin e këtij projekti,”tha Bashkia e Durrësit në përgjigje të një kërkese për informacion.

Bazamenti i shkollës do të vendoset në pjesën jugore të sheshit dhe do të zerë rreth 25 përqind të sipërfaqes së përgjithshme.

Arkitekti Indrit Hamiti, studioja e së cilit po kryen mbështetjen lokale për projektin tha për BIRN se tashmë kanë një panoramë të plotë se çfarë përfaqëson ajo hapësirë.

“Ndërkohë, vazhdojnë kontaktet me arkeologët dhe ekspertët e trashëgimisë kulturore,” tha Hamiti, duke shtuar se përveç pjesës së vilës, e paprekur do të mbetej edhe pjesa tjetër që ka një potencial arkeologjik.

Sipas Hamitit, arkitekti i huaj ka gjetur një zgjidhje të ekuilibruar, duke e vendosur shkollën në mes të sheshit, ndërsa atriumi i katit përdhes me elementë  arkeologjikë do të zerë vendin kryesor.

Shkolla “Gjergj Kastrioti” u dëmtua rëndë gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019. Për të shtatin vit radhazi, ajo i ka transferuar nxënësit dhe mësuesit në dy shkolla të tjera.

Arkeologët durrsakë propozuan një vit më parë që në sipërfaqen e lirë nga zbulimi i deritanishëm, të ngrihej një muze alternativ, ndërsa disa të tjerë e konsiderojnë godinën e rektoratit të UAMD në rrugën e Currilave si një mundësi për vendosjen e shkollës së ardhshme.

Profesor Luan Përzhita, drejtues i ekspeditës është në merak për të ardhmen e zbulimit arkeologjik.

“Do të jetë problematike nëse fillojnë shirat,” tha Përzhita.

“Të shpresojmë se nuk do të kemi dëmtime, por kjo do të kuptohet kur ta rihapim vilën e mbuluar prej kohësh,” shtoi ai.

Ai theksoi se nuk ishte njohur ende me specifikimet në tender përsa i përket fushës së arkeologjisë.

Shkolla do të ketë dy hyrje, njëra prej të cilave do ti shërbejë turistëve. Ajo do të lidhë Muzeun Arkeologjik të Durrësit me zbulimin e fundit  pranë shkollës, duke u kthyer në një itinerar arkeologjik të ri për qytetin bregdetar.

Arkitekti Indrit Hamiti vlerëson se shtigjet e dikurshme kanë nevojë të rijetëzohen dhe mund t’i shërbejnë më së miri lëvizjes së turistëve, edhe në drejtim të amfiteatrit dhe kishës së Shën Gjergjit në Kodër- Vilë.

Arkitekti flet më pas për kohën që do të kërkojë zhvillimi i këtij kompleksi.

“Gërmimi arkeologjik dhe muzealizimi i tij do të kërkojnë një kohë më të gjatë. Në opinionin tim, shkolla do të ketë proces më të shpejtë ndërtimi, pa harruar se kështu rikuperojmë një pasuri…,” përfundoi Hamiti.