GJKKO vendos avokatë të Ndihmës Juridike Falas për Erion Veliajn
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi të martën më 13 tetor, që në seancën e ardhshme të çështjes penale në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe të pandehurve të tjerë që po gjykohen me procedurën e zakonshme, për arsye të bojkotit të avokatëve, të vijohet me avokatët e zyrës së Ndihmës Juridike Falas pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Vendimi i gjykatës bazohet në pikën 7 të nenit 49 të Kodit të Procedurës Penale, ku përcaktohet se, “kur mbrojtja nuk mund të sigurohet sipas kësaj dispozite dhe pikës 3, të nenit 49, mbrojtja garantohet nga institucionet që administrojnë ndihmën juridike falas, sipas legjislacionit në fuqi”.
Nga ana tjetër, gjykata caktoi gjobë në masën e 100 mijë lekëve për secilin prej avokatëve që nuk ishin paraqitur për të mbrojtur të pandehurit.
Një prej prokurorëve të çështjes, Altin Dumani konstatoi në seancë se mbrojtja e të pandehurve është një e drejtë. Ai vlerësoi se sjellja e të pandehurve dhe avokatëve të tyre është e tillë që gjykata të shqyrtojë mundësinë nëse sjellja e tyre është heqje dorë nga e drejta për t’u mbrojtur dhe të vijohet gjykimi pa avokat. Po ashtu, u konstatua se Apeli ka një praktike të tillë, të zhvillimit të gjykimit pa avokat.
Megjithatë, gjykata vendosi që në seancën e ardhshme të vijojë gjykimi me avokatët e ndihmës juridike falas dhe kërkesa e SPAK të shqyrtohet në një tjetër moment.
Prej një muaji e gjysmë, avokatët, përfshi dhe ata të listës së avokatëve kryesisht, i janë bashkuar vendimit të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, për bojkotin e seancave gjyqësore që zhvillohen në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, GJKKO. Prej dy javësh janë bojkotuar dhe seancat e masave të sigurimit personal e ato në funksion të hetimit paraprak.
Bojkoti erdhi pas hyrjes në fuqi të Rregullores së Brendshme të GJKKO, që nuk lejon mbajtjen dhe përdorimin e telefonave celularë në mjediset e sallave të gjykimit, nga asnjë prej të pranishmëve, përfshi gjyqtarët e prokurorët. Avokatët kanë pretenduar se celularët janë mjete pune dhe kanë kërkuar ndryshimin e rregullores.
Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ka bërë publikisht me dije se secili prej avokatëve që do të marrë pjesë në seancat që zhvillohen në GJKKO do të procedohet disiplinarisht dhe do t’i hiqet licenca. Ndërkohë, gjykata ka vendosur gjoba të njëpasnjëshme ndaj tyre.
Në kohën kur kryesuesja e trupit gjykues, Elsa Ulliri po lexonte të martën vendimmarrjen për caktimin e gjobave ndaj avokatëve, në sallë, pranë tavolinës ku qëndrojnë prokurorët, u dëgjua një zhurmë e ngjashme me zilen e një celulari. Prokurori Ols Dado bllokoi menjëherë zilen në pajisjen që ngjasonte me një celular dhe gjykata vijoi me vendimin. Prokurori Ols Dado i pyetur nga BIRN për këtë rrethanë, tha se nuk kishte koment.
Rregullorja e GJKKO është kontestuar edhe prej gazetarëve, të cilët e shohin si kufizuese për punën e tyre dhe një hap pas në transparencën e institucionit. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e disa pikave të kësaj rregulloreje, duke i cilësuar ato si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Veliaj ndodhet në qeli prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave përmes një skeme që përfshin edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Sipas SPAK, Veliaj dhe Xoxa kanë përfituar rreth 1 milion euro nga kjo skemë e dyshuar korruptive, para që janë përdorur kryesisht për stilin e jetesës dhe blerje luksoze në internet. Veliaj i ka mohuar akuzat dhe zhvilloi një betejë gjyqësore ndaj prokurorit të çështjes së tij, Ols Dado.
