Qytetarët e Tiranës i bashkohen protestës së studentëve kundër qeverisë
Mijëra qytetarë u mblodhën të premten në mbrëmje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, në protestën më masive që prej nisjes së revoltës studentore.
“Sot [protesta] është më e madhe dhe shpresojmë që fundjava të shënojë fundin e kësaj qeverie”, tha Elgi Hyka, student dhe aktivist, i cili iu referua thirrjeve për pjesëmarrjen e shqiptarëve të diasporës në protestat e ditëve në vijim.
Protesta e mbrëmjes pasoi një ditë demonstratash në disa qytete të vendit, ku studentë dhe nxënës gjimnazesh bojkotuan mësimin dhe dolën në rrugë për të kundërshtuar qeverinë.
Tubimi mori përmasa masive, me qytetarë të të gjitha moshave që iu bashkuan revoltës, pas tri ditësh përplasjesh të dhunshme mes të rinjve dhe policisë në rrugët e Tiranës.
Me thirrjet “Poshtë diktatura” dhe “Rama, jep dorëheqjen”, protestuesit kërkuan largimin e kryeministrit, të cilin e konsiderojnë përgjegjës për korrupsionin dhe vendimmarrjen arbitrare në favor të interesave private, përfshirë projektin e diskutueshëm turistik në Zvërnec, kundërshtimi i të cilit ndezi protestat fillimisht në qershor.
Policia bllokoi kalimin e protestuesve në zonën e Kryeministrisë dhe përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e turmës, ndërsa një pjesë e protestuesve të rinj iu kundërpërgjigjën duke hedhur gurë në drejtim të forcave të rendit. Ndërhyrjet me gaz lotsjellës e shpërndanë disa herë turmën, por protesta vijoi në rrugë dhe sheshe të tjera të kryeqytetit.
Gjatë ditës së premte, protesta të studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme u raportuan edhe në Shkodër, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë, Burrel, Peshkopi dhe Fushë-Arrëz. Në disa prej qyteteve, të rinjtë bojkotuan mësimin dhe marshuan në drejtim të institucioneve publike, duke kërkuar largimin e Ramës.
Përhapja e protestave jashtë Tiranës shënoi një zgjerim të revoltës studentore, e cila nisi të martën para Ministrisë së Arsimit për kushtet në universitete, koston e studimeve dhe mungesën e perspektivës ekonomike, përpara se të shndërrohej në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë.
Përplasjet gjatë ditëve të mëparshme u shoqëruan me dëmtime të institucioneve shtetërore, bizneseve private dhe degëve bankare, si dhe me akuza për përdorim të tepruar të forcës nga policia.
Në një konferencë për shtyp të premten, drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, raportoi se në të gjithë vendin ishin arrestuar 152 persona dhe ishin proceduar penalisht në gjendje të lirë 324 të tjerë. Sipas policisë, personat dyshohen për akte dhune, dëmtim të pronës dhe kundërshtim të forcave të rendit.
Ziu deklaroi gjithashtu se policia kishte identifikuar grupe komunikimi në internet ku ishin bërë thirrje për akte ekstreme dhe kërcënime ndaj punonjësve të rendit, duke pretenduar për përfshirje të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm.
Ndërkohë, Avokati i Popullit, Endrit Shabani, publikoi të premten gjetje paraprake shqetësuese nga monitorimi i trajtimit të personave të shoqëruar dhe të arrestuar gjatë protestave.
Sipas Shabanit, ekipet e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës kishin kontaktuar 214 persona të privuar nga liria gjatë 72 orëve të fundit, duke inspektuar komisariatet e Tiranës, Bllokun e Sigurisë, Spitalin e Traumës dhe komisariate në qytete të tjera.
Avokati i Popullit deklaroi se kishte dokumentuar shenja të dukshme dhune te personat e ndaluar, ndërsa për 26 prej tyre pretendimet për keqtrajtim dhe dëmtimet fizike ishin pasqyruar në procesverbalet e konstatimit.
“Kemi parë persona me shenja të dukshme dhune”, deklaroi Shabani, duke theksuar se ankesat përfshinin dhunë gjatë shoqërimit, mungesë të kujdesit mjekësor dhe tejkalim të afateve ligjore.
Veçanërisht shqetësuese ishin gjetjet për trajtimin e të miturve. Avokati i Popullit raportoi raste të fëmijëve të marrë në pyetje pa praninë e prindërve, kujdestarëve apo psikologut, në kundërshtim me garancitë ligjore. Institucioni po verifikon gjithashtu dëshmi se rreth 12 të mitur ishin mbajtur të izoluar në ambientet e një ministrie.
Monitorimi evidentoi edhe kushte të papranueshme në ambientet e paraburgimit, me persona që flinin nga dy në një shtrat ose mbi sfungjerë në dysheme, mungesë të ujit të pijshëm, ngrohjes, mjeteve higjienike dhe kujdesit të mjaftueshëm mjekësor.
Shabani ngriti shqetësimin edhe për praninë e punonjësve të policisë me veshje civile dhe pa shenja identifikuese gjatë ndërhyrjeve ndaj protestuesve, duke kërkuar identifikimin e detyrueshëm të çdo efektivi që përdor forcën.
Sipas të dhënave të paraqitura nga Avokati i Popullit, në Spitalin e Traumës më 14 dhe 15 tetor kishin marrë shërbim mjekësor 128 persona, përfshirë 86 punonjës policie dhe 38 protestues.
Përshkallëzimi i protestave solli edhe reagime nga organizatat ndërkombëtare dhe përfaqësitë diplomatike, të cilat dënuan aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës, por kërkuan njëkohësisht respektimin e së drejtës për tubim paqësor dhe proporcionalitet në ndërhyrjet policore.
Kriza u shoqërua të premten edhe me një zhvillim politik brenda Partisë Socialiste. Deputetja Elisa Spiropali, një ish-bashkëpunëtore e ngushtë e Ramës dhe ish-kryetare e Kuvendit, i drejtoi atij një letër publike, ku kërkoi marrjen e përgjegjësisë politike dhe hapjen e rrugës për ndryshim, duke përmendur edhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Ndërsa presioni publik dhe politik ndaj qeverisë po rritet, Rama i ka hedhur poshtë deri tani kërkesat për dorëheqje. Kryeministri ka fajësuar opozitën dhe faktorë të jashtëm për përshkallëzimin e dhunës, duke pretenduar se protestat po shfrytëzohen për të destabilizuar vendin dhe për të penguar procesin e integrimit europian.
