Leclerc dhe krahasimi me legjendat, piloti monegask ende pa kurorë në Formula 1
Sharl Lëklerk ka festuar 29-vjetorin më 16 tetor, duke mbërritur në këtë moshë me një bilanc prej 9 fitoresh, 55 podiumesh dhe 27 “pole positions” në Formula 1. Shifra që, pavarësisht potencialit të madh të pilotit nga Monako, mbeten disi larg pritshmërive, edhe për shkak të një Ferrari që shpesh nuk ka qenë konkurrues.
Por si krahasohet Lëklerk me legjendat e tjera të Formulës 1 në të njëjtën moshë? Karriera e monegaskur ka qenë e lidhur ngushtë me Ferrarin, që nga hapat e parë në akademinë e të rinjve, testet me Haas dhe debutimi me Sauberin, deri te promovimi i shpejtë në skuadrën zyrtare të Maranelos, ku zëvendësoi Kimi Raikonenin. Në sezonin e tij të nëntë në Formula 1, piloti nga Monako ka siguruar vendin e dytë në kampionatin botëror të vitit 2022 dhe të tretin në vitin 2024. Megjithatë, karriera e tij ende nuk ka prodhuar suksesin e madh që pritej.
HAMILTON DHE SHUMAKER
Luis Hamilton, aktualisht shoku i skuadrës së Lëklerkut te Ferrari, kishte fituar tashmë titullin e tij të parë botëror me MekLarenin. Në moshën 29-vjeçare, britaniku numëronte 22 fitore dhe 54 podiume. Më pas, ai do të fitonte edhe gjashtë tituj të tjerë, duke arritur kulmin e karrierës pas të 30-ave. Edhe Mikael Shumakeri kishte një bilanc dukshëm më të mirë në këtë moshë. Legjenda gjermane kishte fituar dy tituj botërorë me Benetonin, ndërsa numëronte 27 fitore dhe 54 podiume. Më vonë, ai do të dominonte me Ferrarin, duke fituar pesë kampionate radhazi nga viti 2000 deri në vitin 2004.
ALONSO DHE RAIKONEN
Fernando Alonso kishte fituar gjithashtu dy tituj botërorë me Renault, duke regjistruar 23 fitore dhe 57 podiume. Ndërkohë, Kimi Raikonen kishte siguruar titullin e tij të vetëm në vitin 2007, me 17 fitore dhe 55 podiume, po aq sa Lëklerk. Por krahasimi më i vështirë për pilotin e Ferrarit është ai me Sebastian Fetelin. Gjermani kishte fituar në këtë moshë katër tituj botërorë radhazi me Red Bullin, nga viti 2010 deri në vitin 2013. Në bilancin e tij përfshiheshin 42 fitore, 84 podiume dhe 46 pole positions, shifra dukshëm më të larta se ato të monegaskut.
SENA, PROST DHE HAKINEN
Në krahasimin me legjendat e së kaluarës, Airton Senna kishte fituar një titull botëror, 15 gara dhe kishte siguruar 37 podiume e 30 “pole positions”. Alen Prost, nga ana tjetër, numëronte 16 fitore dhe 26 podiume, ndërsa titujt e tij të mëdhenj do të vinin në vitet pasuese, mes moshës 30 dhe 38 vjeç. Edhe Mika Hakinen, një nga rivalët më të mëdhenj të Shumakerit, i fitoi dy titujt e tij botërorë me MekLarenin në moshën 30 dhe 31 vjeç. Për Lëklerkun, këto krahasime tregojnë se koha për të arritur majat nuk ka përfunduar. Megjithatë, për ta kthyer talentin dhe shpejtësinë në tituj botërorë, ai do të ketë nevojë për një Ferrari më konkurrues dhe për mundësinë që të luftojë rregullisht për fitore.
