Trafikuan mbi 60 ton kokainë, SPAK çon për gjykim organizatën e drejtuar nga Çopja-Çela
Prokuroria e Posaçme, SPAK njoftoi të shtunën përfundimin e hetimeve ndaj organizatës kriminale të drejtuar nga Franc Çopja dhe Ervis Çela, të cilët akuzohet se kanë trafikuar mbi 60 ton kokainë nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës.
SPAK kërkon gjykimin e 16 personave të përfshirë në këtë organizatë për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, pastrimit të parave dhe kryerjes së veprave penale në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Përveç Çopjes dhe Çelës, nën akuzë janë edhe Fadil Balla (alias Julian Balla), Riza Çela, Ardjan Çela, Maringlen Mullaj, Petrit Lakatos (alias Petrit Sulejmani), Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami dhe Soni Pepa (alias Vilson Pepa).
Të pandehurit Albin Çela, Elidon Çela, Denis Daja, Ditjon Pepa dhe Kujtim Gjyla akuzohen për pastrim të produkteve të veprës penale.
Sipas Prokurorisë, nga analiza e të dhënave hetimore, përfshirë komunikimet e përftuara përmes platformave të enkriptuara SkyECC dhe EncroChat, rezulton se të pandehurit përfaqësojnë një organizatë kriminale me shtrirje ndërkombëtare, të përfshirë në organizimin, koordinimin dhe realizimin e trafikimit të sasive të mëdha të kokainës nga vendet e Amerikës së Jugut drejt tregjeve europiane.
Struktura e organizatës paraqitet në formë vertikale, me marrëdhënie bashkëpunimi dhe lidhje të konsoliduara me grupe dhe organizata kriminale në Paraguaj dhe Brazil dhe ka vepruar të paktën gjatë viteve 2019-2021.
Franc Çopja, i njohur edhe si Franc Gergely, i arrestuar në Belgjikë, dhe Ervis Çela, i arrestuar në Shqipëri kanë pasur funksione bashkëdrejtuese në këtë organizatë kriminale, që rezulton se dispononte kapacitete për të kontrolluar dhe koordinuar hallka të ndryshme të zinxhirit të trafikimit të narkotikëve, duke filluar nga sigurimi i lëndës narkotike në vendet e origjinës, financimi dhe transportimi i saj, deri te shpërndarja.
Qarkullimi i përfitimeve financiare nga trafikimi i lëndëve narkotike realizohej në mënyrë të strukturuar, përmes një rrjeti ndërkombëtar, i cili përdorte mekanizma informalë të transferimit të vlerave monetare, përfshirë sistemin Hawala.
Furnizimi me kokainë dhe trafiku
Sipas Prokurorisë së Posaçme, nga komunikimet e analizuara rezulton se laboratorët e prodhimit të kokainës në zonën e Andeve, veçanërisht në Bolivi, referoheshin me termin “kuzhina”. Kokaina transportohej më pas drejt Paraguajit, ku magazinohej dhe përgatitej për eksport. Për këtë qëllim përdorej edhe transporti ajror me avionë të vegjël nga Bolivia drejt zonave rurale të Paraguait. Në komunikimet mes drejtuesve dhe anëtarëve të organizates përmenden ngarkesa deri në rreth 500 kg, të cilat pas mbërritjes transferoheshin në kamionë të tonazhit të rëndë, të posaçëm për transportin e lëndës narkotike.
Kokaina transportohej më pas nga Paraguaji drejt Europës duke përdorur infrastrukturën tregtare të disa kompanive. Lënda narkotike ripaketohej dhe fshihej në ngarkesa që përmbanin produkte të ligjshme si; stuko patinimi, bojëra dhe produkte të tjera industriale.
Blerja dhe transporti i kokainës deri në portin e Villetës në Paraguaj kushtonte 4100-4200 USD për kilogramë, ndërsa për imbarkimin në anije shtoheshin edhe 1300 USD të tjerë për çdo kilogram; kjo në formën e rryshfetit për kalimin e ngarkesës. Më pas ngarkesat transportoheshin përmes korridorit lumor Paraguaj–Paraná drejt Portit të Buenos Aires në Argjentinë. Nga ky port, kontenierët ngarkoheshin në anije transoqeanike të linjave tregtare ndërkombëtare dhe vijonin lundrimin drejt porteve europiane.
Destinacionet kryesore të identifikuara përfshijnë portet e Hamburgut, Anversës, Barcelonës dhe Roterdamit. Hetimet kanë zbuluar se kontenierëve me ngarkesat e drogës u ndryshohej destinacioni gjatë lundrimit drejt Europës, me qëllim orientimin e tyre drejt porteve ku ishin krijuar kushtet për të dorëzuar dhe më pas nxjerrë lëndën narkotike. Nga verifikimi i komunikimeve të Franc Çopjes, ka rezultuar se kishte lidhje me strukturat doganore të sigurisë portuale në Anversë, përfshi persona që operonin skanerin.
Kostoja e nxjerrjes së kokainës nga portet europiane përllogaritej në 15% të ngarkesës dhe shlyhej zakonisht në natyrë, përmes dorëzimit të një pjese të drogës.
Pas nxjerrjes së kokainës nga portet evropiane, Holanda shërbente si një nga qendrat kryesore të magazinimit dhe shpërndarjes me shumicë, nën koordinimin e Franc Çopjes.
Nderkohë, sistemi Hawala mundësonte transferimin e parave përmes shteteve me anë një rrjeti ndërmjetësish, pa përdorur transferta bankare apo transport fizik të parave. Si pika tranziti ose destinacioni të këtyre transferimeve përmenden Paraguaj, Bolivia, Brazili, Shqipëria, Turqia dhe Dubai.
Sipas SPAK, rezulton se kjo organizatë kriminale ka organizuar dhe kryer trafikimin ndërkombëtar të një sasie më të madhe se 60 tonë kokainë nga Amerika e Jugut drejt vendeve të ndryshme të Europës, gjatë periudhës 2019–2021.
“Përmasat e këtij aktiviteti kriminal, shtrirja e tij gjeografike dhe volumi i sasive të trafikuara evidentojnë kapacitete të konsiderueshme organizative, logjistike dhe financiare, si dhe një rrjet bashkëpunimi ndërkombëtar, i cili ka mundësuar sigurimin e lëndës narkotike në vendet e origjinës, transportimin e saj përmes rrugëve ndërkombëtare dhe shpërndarjen në tregjet evropiane,” thuhet në njoftim.
Për të realizuar trafikun, kanë bashkëpunur dhe shtetas të huaj. Prokuroria evidenton katër shtetas uruguajanë dhe tre brazilianë në rrjetin e kontakteve të Ervis Çelës. Nga hetimet ka rezultuar se në disa raste, laboratorët e prodhimit të kokainës hasnin vështirësi në përmbushjen e kërkesave të Ervis Çelës dhe bashkëpunëtorëve të tij, për shkak të pamundësisë për të prodhuar dhe siguruar sasitë e kërkuara të lëndës narkotike.
Sipa SPAK, vëllimi i aktivitetit kriminal është shoqëruar me realizimin e përfitimeve financiare jashtëzakonisht të mëdha, potencialisht në vlera që arrijnë në miliarda euro.
Pasuritë e sekuestruara
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme janë sekuestruar pasuri të shumta të të pandehurve dhe personave të lidhur me vlerë totale mbi 9.1 milionë euro.
Janë sekuestruar 100% të kuotave të subjektit tregtar “Solis Farm”, pasuritë e paluajtshme në Mumajes të Baldushkut, godina e restorantit dhe ambientet e saj, si dhe një llogari bankare në emër të shtetases D.Gj., me gjendje prej 71 mijë eurosh.
Në emër të Albin Çelës dhe në bashkëpronësi të tij janë sekuestruar disa prona në zonën e Sharrës në Tiranë, ku janë ndërtuar kapanone industriale dhe godina për aktivitet tregtar, një vilë e porositur pranë kompanisë “NG Structures”, si dhe interesat ekonomikë në shoqërinë “Giam Konstruksion” sh.p.k.
Në emër të Riza Çelës është sekuestruar një sipërfaqe toke prej 5900 metrash katrorë në Sharrë. Sipas ekspertimit, Albin Çela dhe Riza Çela kanë investuar mbi 50 milionë lekë për blerjen e tokave, ndërsa ndërtimi i katër objekteve mbi këto sipërfaqe vlerësohet në më shumë se 1.2 milionë euro.
Fadil Ballës i është sekuestruar resorti “Ajman Park” në Xhafzotaj të Durrësit, së bashku me hotelet, godinat e shërbimit, restorantin dhe interesat e lidhura me shoqërinë “AMR”. Vlera e investimit në resort, sipas ekspertimit, arrin në 463.1 milionë lekë.
Gjithashtu është sekuestruar një vilë dykatëshe e tipit “Elysian”, pjesë e kompleksit turistik “Ionian Olea” në Dhërmi, me sipërfaqe totale të truallit rreth 378.2 metra katrorë dhe vlerë tregu të vlerësuar në 1 milion euro.
Në emër të shtetasit F.C. janë sekuestruar 100 për qind e kuotave të shoqërisë “Check Company” sh.p.k. dhe 25 automjete në pronësi të saj, me vlerë të vlerësuar 69.9 milionë lekë.
Gjithashtu, janë sekuestruar 130 mijë euro cash, automjete dhe sende të tjera me vlerë. Në total, vlera e pasurive dhe shumave monetare të sekuestruara përllogaritet në rreth 9.181.000 euro.
SPAK bënë me dije se po vijon hetimet në kuadër të një procedimi të veçuar për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë.
