Skandal në jetën private të Neuer, bashkëshortja e akuzon për tradhti gjatë shtatzënisë: Një nivel tjetër ligësie
Manuel Neuer është në qendër të një polemike në mediat gjermane për jetën e tij private. Bashkëshortja e portierit të Bayernit, Anika Bissel, ka publikuar mesazhe të ashpra në rrjetet sociale, duke e akuzuar për tradhti gjatë shtatzënisë dhe për dëmtimin e familjes.
“Nuk është turp të jesh gruaja që është tradhtuar. Turp është të jesh burri që shkatërron familjen, traumatizon fëmijët dhe bashkëshorten për shkak të një tradhtareje, e më pas fajëson të tjerët për dëmin që ka shkaktuar vetë”, shkruan Anika.
Në një tjetër mesazh, ajo e cilëson tradhtinë ndaj një gruaje shtatzënë si një akt të një niveli tjetër ligësie, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një gabim, por për një zgjedhje egoiste, mizore dhe pa respekt.
“Të tradhtosh një grua shtatzënë është një nivel krejt tjetër ligësie. Ajo mban fëmijën tënd në bark, përballet me vështirësitë e shtatzënisë, ndërsa ti i kushton vëmendje dikujt tjetër. Nëse je i aftë të tradhtosh gruan që mban fëmijën tënd, sidomos kur ajo ka më shumë nevojë për ty, të mungon jo vetëm besnikëria, por edhe dinjiteti njerëzor”, thuhet në reagimin e saj.
Sipas “Bild”, Neuer i kishte komunikuar bashkëshortes synimin për t’u ndarë disa javë pas lindjes së fëmijës së dytë të çiftit. Polemika u shtua pas publikimit të fotografive në Brazil, ku portieri 40-vjeçar u shfaq me një 23-vjeçare, të identifikuar nga mediat gjermane si fizioterapiste. Në tetor, të dy kishin kaluar gjithashtu disa ditë së bashku në Sicili.
Në këtë debat është përfshirë edhe këshilluesja martesore Ruth Marquardt, e cila kritikoi Neuer për situatën e krijuar, duke argumentuar se ai nuk mund të braktisë bashkëshorten dhe fëmijët në periudhën pas lindjes. Reagimi i saj mori edhe pëlqimin e Lina Kimmich, bashkëshortes së Joshua Kimmich.

