Wed, May 6, 2026

ZYRTARE/ Vjen “divorci” në kryeqytet, Partizani shtrëngon duart me trajnerin Zoran Zekic

ZYRTARE/ Vjen “divorci” në kryeqytet, Partizani shtrëngon duart me trajnerin Zoran Zekic
  • PublishedOctober 10, 2023

14 ndeshje ka zgjatur aventura e Zoran Zekic në stolin e Partizanit. Klubi i kuq dhe trajneri 49-vjeçar kanë arritur marrëveshjen për prishjen përpara kohe të kontratës. Tekniku i lindur në Osijek ka bërë mirë në kryeqytet, në fillimin e sezonit. Të kuqtë shkuan deri në Play Off të Conference League, për t’u eliminuar më pas nga Astana.

Në kampionat, Partizani renditet në vendin e pestë me 11 pikë. Sa i takon divorcit me klubin e Superiores, kroati Zekic u shpreh pas ndeshjes së  fundit me Kukësin se kishte probleme personale, ndërkohë që emri i tij është lakuar shumë për një kalim te Osijek. Ashtu siç pritej, ai do firmosë me Osijek, me lajmin që zyrtarizohet edhe nga Partizani.

Kush do të drejtojë ekipin nga kryeqyteti? Klubi i kuq sqaron se frenat e skuadrës do t’i ketë Drejtori Sportiv Arbër Abilaliaj mbështetur nga Mario Kuić, Renaldo Kalari, Kushtrim Voka dhe Marko Matijević.

Njoftimi:

𝐙𝐘𝐑𝐓𝐀𝐑𝐄

Klubi i Partizanit njofton arritjen e marëveshjes me NK Osijek për transferimin e trajnerit Zoran Zekić. Tekniku kroat për shkak të arsyeve familjare ka kërkuar të vazhdojë profesionin afër familjes së tij dhe Klubi i Partizanit pas dakordësisë me klubin kroat lejoi transferimin e Zekić te NK Osijek. Falenderojmë trajnerin Zoran Zekić për kontributin e tij në drejtimin e stolit të kuq dhe i urojmë suksese në karrierë.

Në drejtimin e skuadrës do të vazhdojë stafi teknik i kryesuar nga Drejtori Sportiv Arbër Abilaliaj mbështetur nga Mario Kuić, Renaldo Kalari, Kushtrim Voka dhe Marko Matijević.

(J.S/)

 

AlbaniaWeb.net