Fri, May 9, 2025

Qeveria ul varësinë nga subvencionimi i pensioneve, çon 148 mln euro te rrugët

  • PublishedOctober 25, 2023

Ndryshimet buxhetore në aktin e fundit normativ shkurtojnë me rreth 15,4 miliardë lekë fondet për sigurimet shoqërore, ose me 33% të programit fillestar, ndërsa pjesa më e madhe e tyre shkon për financimin e rrugëve.

Tabelat e reja tregojnë se, programi i sigurimit shoqëror me ndryshimet e fundit arriri në 30,7 miliardë lekë nga 46,3 miliardë lekë që ishte në buxhetin fillestar.

Kjo shumë përbën deficitin që financon qeveria për pagesat e pensioneve që nuk mbulohen nga të ardhurat e sigurimeve shoqërore.

Këtë vit, për shkak të rritjes së pagës minimale dhe të pagave në administratën publike në 9-mujor u arkëtuan rreth 14 miliardë lekë, në formën e sigurimeve shoqërore më shumë se një vit në parë, duke ndikuar në uljen e ndjeshme të deficitit të skemës.

Fondet që u gjeneruan nga ngushtimi i deficitit ishte 5 herë më i lartë se fondi 3,2 miliardë për indeksimin e pensioneve këtë vit.

Nga rialokimet rritja më e madhe të financimeve ka shkuar për programin e transportit rrugor, i cili arriti një vlerë 34,5 miliardë lekë nga 26,3 miliardë lekë në fillim të vitit.

Financimet për transportin rrugor u rriten me tej edhe pse investimet kapitale janë zëri me problematik i buxhetit. Gjatë 9-mujorit zëri i shpenzimeve rezultoi me 30% të mosrealizimit të planit, ndërkohë që qeveria i rriti financimet më tej për dy muajt e mbetur.

Gjithashtu ndryshimet buxhetore shkurtuan financimet në një nga programet më të rëndësishme të shërbimit publik, atë shëndetësor.

Fondet për shërbimin parësor u shkurtuan me 23% edhe pse ky program ka nevoja emergjente dhe është më i nënfinancuari me raport me nevojat.

Shkurtimi i fondeve të sigurimeve shoqërorë vijnë në një kohë që pensionistët shqiptare marrin pagesa shumë më të ulëta se në Rajon dhe shumë më poshtë nivelit relative të varfërisë./Monitor

Artikulli i plotë këtu.

AlbaniaWeb.net