Stuhia, Peleshi: Akse të bllokuara në Dibër e Shkodër, në orët në vijim priten…
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se situata e krijuar prej reshjeve intensive gati në të gjithë vendin paraqitet më e mirë, por strukturat e emergjencave civile vijojnë punën në terren për eliminimin e çdo pasoje.
Peleshi thotë se tri ekipe nga Forcat e Armatosura janë angazhuar në ndihmë të punonjësve të bashkisë së Tiranës, ku situata është përmirësuar ndjeshëm, ndërsa vëmendje e shtuar është në qarqet Dibër e Shkodër, ku po punohet për pastrimin e disa akseve.
“Sipas parashikimeve nga IGJEO, gjatë natës priten reshje me intensitet të lartë në të gjithë territorin e vendit, ku në një pjesë të madhe të tij reshjet do të jenë në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa të forta,” shton Peleshi.
Ministri i bën thirrje qytetarëve që të njoftojnë në kohë në rast nevoje si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.
