Sa vlen Fredi Beleri? Nxehen “gjakrat” në studio: Ore ti do më fusësh në kurth mua?!
Arrestimi i Fredi Belerit ka futur raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë në një krizë diplomatike. Spiralja e krizës mund të thellohet akoma më shumë në vijim, pasi Athina ka vendosur veton për hapjen e kapitujve të negociatave për Tiranën.
Sekretari i organizatës “OMONIA” Marin Suli i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “5Pyetjet nga Babaramo” kërkoi që qeveria të heqë dorë nga presionet politike dhe të lejojë Fredi Belerin që të betohet në krye të bashkisë.
“Zotin Beleri nuk e zgjodhëm ne, por sondazhet e nxorën favorit dhe ai fitoi zgjedhjet. Në sondazhe, Beleri ka qenë kandidat i opozitës së bashkuar. Nuk mund të kishte sondazh amator, por me emra konkretë realë me njerëz të respektuar.
Bashkia ka kryetar, që është i burgosur politik me vullnet të kryeministrit të vendit. Sa herë afrohen seancat gjyqësore, kryeministri del dhe flet nga 4-5 fjali për Belerin. Flet për flagrancë, por Fredi Beleri u arrestua sapo kishte ngrënë bukë” tha ai.
Për gazetarin Sokol Dema kjo çështje është e zgjidhur. “Në momentet e para kur ka marrë mandatin e kryetarit të bashkisë ka pasur një debat nëse duhet të lejohet ose jo, por janë të qarta rregullat se kur jepet leja për të dalë nga paraburgimi dhe nuk përfshihet kërkesa për të dalë për të bërë betimin.
Para disa ditëve ka pasur një vendim të gjykatës së Lartë, që autoriteti që mund të japë një vendim të tillë është gjykata e Posaçme. Mendoj se edhe këtë herë, si më parë, nuk do të ketë një lejim për të shkuar për t’u betuar” tha ai.
Shkëlqim Hajdari tha se ky është një rast atipik që tregon se ka hapësira ligjore dhe kjo lë vend për interpretimin që në fund do i zgjidhë gjykata. “Në rastin e zotit Beleri drejtësia po funksionon. Janë bërë të gjitha ankimimet në të gjitha shkallët e gjyqësorit.
Të arrijmë në përfundimin që Greqia, të çojë në nivelet e një përplasje kaq të madhe të një çështje që nuk zgjidhet as me betimin dhe as masën e sigurisë, por me gjykimin në themel, nëse do të marrë apo jo mandatin” tha ai.
Më tej, ai ngriti disa aludime. “Zotëria ka bërë fushatë shtëpi më shtëpi, ka mbaruar halle, bamirësi. Nuk është vepër penale bamirësia, unë e di. Jam prokuror i vjetër. Kjo është situatë shumë delikate” tha ai.