Thu, May 7, 2026

SPAK i kërkon Kuvendit autorizim për Berishën, ja kur mblidhet Këshilli i Mandateve

SPAK i kërkon Kuvendit autorizim për Berishën, ja kur mblidhet Këshilli i Mandateve
  • PublishedDecember 12, 2023

Pas disa përpjekjeve të dështuara për ta marrë në pyetje si të pandehur për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, SPAK ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për Sali Berishën nga “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të lëvizjes jashtë shtetit”, në “arrest në burg” ose “arrest shtëpie”.

Por për ta bërë këtë, Prokurorisë së Posaçme i duhet autorizimi i Kuvendit.

Ndaj këtë paradite në zyrën e Lindita Nikollës ka mbërritur kjo kërkesë e firmosur nga kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, ku kërkohet nga parlamenti t’i heqë imunitetin deputetit Sali Berisha.

Lidhur me këtë rast bëhet me dije se më datë 18 dhjetor, në orën 12:00, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit do të mblidhet për shqyrtimin e kërkesës së SPAK që kërkon autorizimin e Kuvendit për arrestimin e Sali Berishës.

Lajmin e bëri të ditur kryeparlamentarja Lindita Nikolla.

“Mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit, do të zhvillohet në datën 18.12.2023, ora 12.00, në Kryesinë e Kuvendit,” thuhet në njoftim.

Relacioni i SPAK-ut: Berishës t’i hiqet liria sepse refuzoi të paraqitej

 

AlbaniaWeb.net