Wed, Nov 26, 2025

Lamborghini, restorant dhe hotel! Nën akuzë për shfrytëzim prostitucioni në Itali dhe Belgjikë, sekuestrohen pasuritë me vlerë 550 000 euro të dy personave

Lamborghini, restorant dhe hotel! Nën akuzë për shfrytëzim prostitucioni në Itali dhe Belgjikë, sekuestrohen pasuritë me vlerë 550 000 euro të dy personave
  • PublishedFebruary 1, 2024

Sekuestrohen pasuritë me vlerë rreth 550 mijë euro të dy personave, të dënuar njëri në Itali dhe tjetri në Belgjikë për trafik dhe shfrytëzim prostitucioni, pasi dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale.

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit” dhe në kuadër të një procedimi penal për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, u zhvillua operacioni policor i koduar “Real estate”, si rezultat i të cilit u sekuestruan:

Dy pasuri të shtetasit A. K., të regjistruara në emër të tij dhe të të afërmve, konkretisht: 1 objekt 3-katësh (me aktivitet bar, restorant dhe hotel), në Cërrik, dhe 1 automjet “Lamborghini”. A. K., është i dënuar në Belgjikë, për veprën penale “Trafikimi dhe shfrytëzimi për prostitucion”.

Si dhe u bë sekuestrimi i pasurisë së shtetasit U. K., 34 vjeç, banues në Elbasan, konkretisht i një objekti banimi me sipërfaqe 105 m2, në Elbasan. Nga veprimet hetimore dyshohet se kjo pasuri e sekuestruar e ka burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga shtetasi U. K., i cili ka qenë i dënuar më parë, në Itali, për veprën penale “Trafikimi dhe shfrytëzimi për prostitucion”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


AlbaniaWeb.net