Sun, Aug 24, 2025

Epoka e artë e derbeve te Partizani, prova e madhe për… Veselinoviç

  • PublishedDecember 1, 2024

Që nga viti 2013 Partizani ka hyrë në një epokë të re, që duhet thënë se është vepër e presidentit Demi, i cili i ka garantuar klubit siguri financiare dhe ka investuar në rikthimin e infrastrukturës dhe ndërtimit të një stadiumi privat. Me rikthimin në Kategorinë Superiore duhet thënë se Partizani ka arritur të regjistrojë një ecuri mbresëlënëse në derbi.

Të kuqtë hynë në historinë ndeshjeve kundër Tiranës, duke regjistruar një ecuri prej afro gjashtë vitesh pa humbur derbin. Por le të merremi pak me trajnerët dhe rezultatet e tyre kundër Tiranës.

TË PAMPOSHTURIT – Në 11 vitet e fundit te Partizani një numër i madh trajnerësh kanë dalë të pamposhtur nga derbet me Tiranën. Ata janë Marcio Sampaio (1 ndeshje), Shpëtim Duro (4 ndeshje), Sulejman Starova (5 ndeshje), Andrea Agostineli (2 ndeshje), Skënder Gega (4 ndeshje) dhe Orges Shehi (2 ndeshje). I pamposhtur është edhe Aleksandar Veselinoviç, por ky i fundit duhet ta konfirmojë pathyeshmërinë edhe në betejën e së dielës, i dytë për të si trajner i “demave”. Sa i përket të pamposhturve duhet thënë se Starova mbetet rekordmeni me pesë ndeshje, i ndjekur nga Gega dhe Duro me nga katër. Ecurinë perfekte e ka vetëm Shehi me dy fitore në dy ndeshje në total.

VAZHDIMËSIA – I vetmi trajner që ka luajtur më shumë se katër derbe pa u shkëputur nga stoli është Ilir Daja. Tiranasi është I vetmi trajner që ka qëndruar te Partizani edhe në sezonin pasardhës pasi është emëruar. Të gjithë të tjerët, edhe në dy rastet kur kanë fituar titullin (Gega dhe Kolela), janë larguar pas një sezoni ose më pak.

PA SUKSES – Duke përjashtuar Veselinoviç, i cili është ende në detyrë, të vetmit trajnerë të Partizanit që nuk e kanë fituar asnjë herë derbin janë Adolfo Sormani dhe Dritan Mehmeti. Italiani ka drejtuar skuadrën në dy periudha të ndryshme në sezonet 2016-2017 dhe 2019-2020. Në tre derbi të drejtuar ai ka barazuar dy dhe ka humbur një. Kjo humbje përkon me një nga rezultatet më të thella të historisë, 5-1 në vitin 2019. Kjo është edhe “plaga” më e madhe dhe ndoshta e vetme e të kuqve në këto 11 vite të epokës “Demi” sa i përket derbeve. Mehmeti drejtonte në një sezon të vështirë dhe barazonte një derbi, para se të humbte të dytin.

“THIKË ME DY PRESA” – Kështu mund të quhet ky derbi për trajnerin Veselinoviç, i cili në këtë derbi do të kërkojë të qëndrojë mes të pathyeshmëve dhe në të njëjtën kohë të ruajë edhe ecurinë pozitive, që vijon prej 25 muajsh. Në rast të kundërt, skuadra, aktualisht në pozita komoditeti dhe sigurie do të pësonte një shkundje, që do të lëkundte pozitat e saj si pretendent kryesor për titullin kampion.


AlbaniaWeb.net