Thu, May 8, 2025

A janë në përgjim gjyqtarët e “Kushtetueses”? Holta Zaçaj: I jemi drejtuar me një kërkesë për informacion Altin Dumanit, por…

  • PublishedFebruary 24, 2025

A janë në përgjim gjyqtarët e “Kushtetueses”? Holta Zaçaj: I jemi drejtuar me një kërkesë për informacion Altin Dumanit, por…

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj thotë se nuk ka informacion në lidhje me disa pretendime se gjyqtarët e këtij institucioni janë në përgjim.

Në një konferencë për mediat, ku ajo prezantoi raportin vjetor të këtij institucioni u shpreh se i është drejtuar me një shkresë kreut të SPAK, Altin Dumani për informacion, për ndonjë kallëzim apo hetim ndaj ndonjë gjyqtari.

Zaçaj tha se Gjykata mbështet çdo veprimtari të organeve ligjzbatuese në ushtrim të juridiksionit të tyre, duke theksuar “gjithmonë në përputhje me kompetencat që i njeh Kushtetuta dhe ligji”.

“Në lidhje me pyetjen tuaj Gjykata nuk ka asnjë informacion në lidhje mesa është shkruar për një përgjim të mundshëm apo të pretenduar ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pasi u informua në lidhje me këto lajme, trupa vendosi që t`i drejtohej zotit Altin Dumani me kërkesë për informacion, për ndonjë kallëzim apo hetim ndaj ndonjë gjyqtari, për sa kohë që veprimet e pretenduara i referohen një vendimmarrjeje konkrete të Gjykatës ku vetë SPAK është palë. Shkresa është dërguar zyrtarisht ditën e mërkurë, datë 19 shkurt. Ende nuk kemi një përgjigje zyrtare nga ai institucion.

Ndërkohë që si Kryetare e Gjykatës Kushtetuese informova zotin Dumani se nuk jam vënë në dijeni nga asnjë gjyqtar për ndonjë ndërhyrje apo ushtrim të ndonjë forme ndikimi të papërshtatshme nga avokatë, funksionarë politikë, publikë ose subjekte të tjera, bazuar në nenin 10, pika 3, të ligjit organik.

Gjykata mbështet çdo veprimtari të organeve ligjzbatuese në ushtrim të juridiksionit të tyre, gjithmonë në përputhje me kompetencat që i njeh Kushtetuta dhe ligji”, u pergjigj Zaçaj.

RAPORTI I PLOTE 

Viti 2024 ishte një vit dinamik për Gjykatën Kushtetuese i shenjuar nga dedikimi për ruajtjen dhe garantimin e parimeve të shtetit të së drejtës dhe të demokracisë.

Në përmbushje të misionit të saj për të mbrojtur Kushtetutën, Gjykata Kushtetuese adresoi një sërë çështjesh, ku u riafirmua roli i pazëvendësueshëm në interpretimin përfundimtar të normave kushtetuese, zgjidhjen e konflikteve të kompetencave, apo kontrollin e pajtueshmërisë me Kushtetutën të ligjeve dhe akteve të tjera normative, duke garantuar në këtë mënyrë rendin kushtetues.

Po kështu, Gjykata dëshmoi sërish, edhe këtë vit, se është një Gjykatë e Qytetarëve. Ajo ndryshoi qasjen e saj në disa aspekte, duke synuar të sigurojë jo vetëm aksesin e qytetarit përmes ankimit kushtetues individual, i cili rezulton të ketë një rritje prej 16% nga viti i kaluar, por edhe të zgjerojë hapësirën e mbrojtjes së tij kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese edhe gjatë këtij viti pati si synim efektivitetin dhe eficiencën e veprimtarisë së saj gjyqësore në përmbushje të standardit për një gjykim të drejtë dhe të shpejtë. Pavarësisht ngarkesës së lartë, Gjykata u kujdes për respektimin e afateve procedurale të shqyrtimit gjyqësor, duke synuar cilësinë e vendimmarrjes së saj. 

Në këtë drejtim vlen të përmendet se gjatë vitit 2024 ishin për shqyrtim gjithsej 520 kërkesa (427 kërkesa të reja dhe 93 të mbartura nga viti 2023), nga të cilat Gjykata shqyrtoi 408 kërkesa me vendime të arsyetuara, konkretisht:

  • 86 vendime përfundimtare
  • 47 vendime moskalimi të Mbledhjes së Gjyqtarëve
  • 275 vendime moskalimi të Kolegjeve

Aktualisht, numri total i kërkesave të mbartura, të cilat janë brenda afateve procedurale të shqyrtimit, është 104, nga të cilat:

  • 28 janë në shqyrtim në seancë plenare.
  • 77 janë në fazën e shqyrtimit paraprak.

Mesatarja e shqyrtimit të çështjeve për vendimet përfundimtare është 8 muaj dhe për vendimet e moskalimit 3 muaj.

Sipas dispozitivit të vendimeve përfundimtare, Gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës/pranimin e pjesshëm në 55 çështje dhe rrëzimin e kërkesës në 31 çështje.

Sipas mënyrës së votimit, Gjykata ka dhënë 42 vendime njëzëri me votë unanime dhe 42 me shumicë votash. Vetëm në 2 vendime Gjykata ka vendosur rrëzimin për mosarritje të shumicës/pamjaftueshmëri votash për një qëndrim.

Gjykata Kushtetuese nuk ka aktualisht stok çështjesh të prapambetura jashtë afateve procedurale.

Po kështu, Gjykata pati në fokus edhe përmbushjen e objektivave të saj strategjikë, me qëllim dhënien e një drejtësie kushtetuese funksionale, me integritet dhe transparencë. Në kapitullin për Shqipërinë të raportit “Sundimi i ligjit 2024” të Komisionit Evropian, Gjykata Kushtetuese ka marrë vlerësime pozitive, duke u konsideruar si efektive në ruajtjen e kontrollit dhe balancës mes organeve të pushteteve.

Përmbledhje e arritjeve të vitit 2024

  1. Ankimi individual

Në rolin e saj si “Gjykatë e Qytetarëve”, bazuar në ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, të cilat lejojnë ankimin edhe për të drejtat themelore, pra jo më vetëm në kuadër të procesit të rregullt, gjatë vitit 2024 Gjykata ka hedhur një sërë hapash të rëndësishëm në gjykimin kushtetues të këtyre të drejtave.

Vlerësimi i Gjykatës në shqyrtimin e të drejtave substanciale u shtri në dy aspekte, atë substancial edhe atë procedural, duke konsideruar se ato qëndrojnë të pavarura nga njëra-tjetra.

Mbi këtë qasje, Gjykata shqyrtoi të drejta dhe liri kushtetuese si:

  • liria personale, për shkak të caktimit të masave të sigurimit si arresti në burg ose arresti në shtëpi, ku ka trajtuar çështje të rëndësishme të juridiksionit të saj, duke e parë të lidhur edhe me të drejta të tjera kushtuese siç është ajo për t`u zgjedhur, ashtu edhe standardin e arsyetimit të vendimeve të gjykatave të zakonshme në drejtim të analizës së kritereve të proporcionalitit të kufizimit të lirisë;
  • e drejta e jetës, në dy raste të vëna në lëvizje nga familjarë të viktimave, duke marrë në vlerësim veprimet e autoriteteve kompetente gjatë ushtrimit të ndjekjes penale, si për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe zbulimin e autorëve, ashtu edhe për garantimin e vetë kësaj të drejte kushtetuese;
  • e drejta e pronës, duke vlerësuar si respektimin e garancive për një proces të rregullt nga gjykatat e zakonshme, ashtu edhe respektimin e kritereve kushtetuese që lejojnë kufizimin e kësaj të drejte, në këndvështrim të proporcionalitetit të ndërhyrjes.

Në këndvështrim të së drejtës së pronës, Gjykata përfshiu për herë të parë në juridiksionin e saj, edhe vendimet gjyqësore të ndërmjetme për vendosjen e sekuestros mbi pasurinë në kuadër të një procedimi penal, mbi konsideratat se ankimi kushtetues individual synon të shërbejë si një mjet efektiv brenda sistemit të brendshëm, por edhe se përjashtimi i këtyre lloj vendimesh nga kontrolli kushtetues do të binte ndesh me vetë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikën e Gjykatës se Strasburgut.

Po në aspektin e së drejtës substanciale të pronës, Gjykata bëri pjesë të kontrollit të saj edhe vendime të tjera me natyrë të ndërmjetme, siç është ai për pezullimin e ekzekutimit të titullit ekzekutiv, për sa kohë kishte sjellë pasoja të drejtpërdrejta e të konsiderueshme në të drejtën e pronës, të cilat zgjasnin për një kohë të papërcaktuar, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

  1. Kontrolli abstrakt

 Të drejtat themelore të individit kanë gjetur fokus edhe gjatë ushtrimit të kontrollit abstrakt të normave ligjore, ku Gjykata shqyrtoi disa çështje me interes të lartë publik.

Për shembull:

Gjykata vlerësoi se norma tatimore për të vetëpunësuarit që furnizojnë shërbime profesionale ishte jo proporcionale në drejtim të domosdoshmërisë së kësaj mase dhe mënyrës së zbatimit të saj. Ajo vlerësoi jokushtetuese edhe dispozitat e ligjit për studentët e mjekësisë, në drejtim të së drejtës për arsimim dhe punësim, duke e gjetur joproporcionale skemën e re të hyrjes në punësim që vendoste studentët përpara zgjedhjes së nënshkrimit të marrëveshjes së detyrimit për punësim ose, në të kundërt, të pagesës së vlerës së plotë të kostos së studimeve.

Gjatë vitit 2024, për herë të parë, Gjykata shqyrtoi të drejtën për informim për gjendjen e mjedisit, sipas nenit 56 të Kushtetutës dhe Konventës së Aarhusit, në çështjen për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, duke vënë theksin në rëndësinë që ka gjatë procesit të konsultimit publik dëgjimi i opinionit të komunitetit të zonës me statusin e publikut të ndikuar.

Po në drejtim të të drejtave themelore Gjykata shqyrtoi respektimin e së drejtës së votës nga dispozitat e Kodit Zgjedhor në drejtim të garantimit të votimit parapëlqyes. Vendosja e kandidatëve nga ana e partisë në komponentin e listës me renditje të fiksuar ose në atë që i nënshtrohet votimit parapëlqyes u vlerësua se nuk e cenon të drejtën e votës as në aspektin e së drejtës së subjekteve zgjedhore për t’u zgjedhur dhe për të marrë pjesë në procesin e formimit të vullnetit politik, as në aspektin e së drejtës së shtetasve për të zgjedhur.

Një vend të rëndësishëm ka zënë në vendimmarrjen e Gjykatës edhe kontrolli i respektimit të parimeve dhe standardeve të tjera kushtetuese.

Në ushtrim të kompetencës për kontrollin e pajtueshmërisë me Kushtetutën të marrëveshjeve ndërkombëtare, një çështje me mjaft rëndësi ka qenë ajo e kontrollit paraprak (përpara ratifikimit) të Protokollit të Migracionit me Italinë, ku Gjykata zhvilloi dhe interpretoi konceptin kushtetues të territorit në aspektin fizik dhe atë juridiksional. Në përfundim të shqyrtimit të çështjes Gjykata lejoi ratifikimin e Protokollit nga Kuvendi, pasi arriti në përfundimin se ai nuk ndryshon apo cakton kufij të rinj territorialë të Shqipërisë, nuk krijon të drejta dhe liri themelore të reja kushtetuese, nuk sjell kufizime shtesë në ato ekzistuese dhe se shteti shqiptar vazhdon të ushtrojë juridiksionin e tij pavarësisht juridiksionit të shtetit italian i cili shtrihet mbi çështje të azilit.

Në drejtim të kontrollit të kushtetutshmërisë së akteve të tjera normative, Gjykata shqyrtoi edhe Marrëveshjen për Administrimin e Parkut të Butrintit, ku pasi trajtoi dhe përfshiu në juridiksionin e saj si ligjin miratues të Kuvendit, ashtu edhe vetë marrëveshjen, arriti në përfundimin se modeli i administrimit indirekt nuk prek rolin parësor të shtetit në mbrojtjen dhe konservimin e pasurive kulturore dhe natyrore që ndodhen në territorin e tij, i cili mbetet pronari i vetëm i pasurisë, duke ushtruar edhe funksionin e kontrollit përmes institucioneve kompetente dhe rregullave të njëjta në fushat përkatëse, pavarësisht llojit të entit publik apo privat që operon në të.

Gjykata përfshiu në juridiksionin kushtetues edhe kontrollin e Rregullores së Kuvendit, edhe pse një akt atipik, sui generis. Për qëllime të përcaktimit të këtij juridiksioni ajo iu referua, së pari, natyrës kushtetuese të normave të kundërshtuara të Rregullores dhe natyrës kushtetuese të pretendimeve të ngritura dhe, së dyti, mungesës së shprehur të një juridiksioni tjetër gjyqësor për kontrollin e këtij akti. Gjykata ushtroi në themel kontrollin e përmbajtjes së dispozitave të kundërshtuara të Rregullores, duke vendosur në balancë parimin e autonomisë parlamentare dhe atë të demokracisë përfaqësuese, për pasojë duke u ndalur vetëm në ashpërsinë e masave disiplinore të cilat mund të kenë pasoja në ushtrimin e mandatit përfaqësues nga deputetët dhe në përfundim gjeti disa shkelje.

Gjatë kontrollit të kushtetutshmërisë së ligjit për ngritjen dhe funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare, Gjykata analizoi të drejtën kushtetuese të pakicës parlamentare si në drejtim të ngritjes së komisionit hetimor ashtu edhe të ushtrimit efektiv të saj përmes hetimit parlamentar. Gjykata konstatoi jokushtetues boshllëkun ligjor të shkaktuar nga mungesa e reflektimit në ligj të rregullit të bashkëpunimit kushtetues luajal midis shumicës dhe pakicës parlamentare, për shkak të mungesës së parashikimit për “formulim alternativ” të objektit të hetimit që lejon arritjen e konsensusit midis subjektit që kërkon ngritjen e komisionit hetimor dhe shumicës parlamentare. Jokushtetues u gjet edhe boshllëku ligjor i shkaktuar nga mungesa e garancive të plota procedurale për të garantuar të drejtën e pakicës parlamentare për kontroll efektiv parlamentar. Gjykata, duke vënë theksin në rëndësinë e marrjes së provave për ushtrimin e kontrollit parlamentar efektiv, vlerësoi se vendimi i ndërmjetëm për refuzimin e provave të kërkuara nga pakica parlamentare duhet të jetë një rast përjashtimor pasi mund ta bëjë joefektive vetë të drejtën ashtu edhe ushtrimin e funksionit të Kuvendit, si dhe mund të krijojë përplasje kompetencash. Gjykata gjeti jokushtetuese edhe dispozitat që parashikojnë detyrimin e Kuvendit për të kërkuar leje për thirrjen e dëshmitarëve nga prokuroria/gjykata, ashtu edhe të drejtën e dëshmitarëve për të refuzuar dhënien e informacionit, pasi vlerësoi se cenojnë të drejtën për hetim parlamentar, duke e bërë atë iluzive.

Po përgjatë vitit 2024 Gjykata ritheksoi edhe detyrimin kushtetues për zbatimin, nga të gjitha organet shtetërore, të vendimeve të saj. Mbi këtë parim kushtetues ajo zgjidhi mosmarrëveshjen e kompetencës mes pakicës parlamentare dhe Kuvendit, të lindur për shkak të moszbatimit nga ky i fundit të vendimit të Gjykatës për dërgimin e çështjes së deklarimit të papajtueshmërisë së mandatit të një deputeteje. Gjykata i dha kuptim edhe parimit të mandatit të lirë të deputetit kur thirret në votim, duke theksuar se ai nuk kuptohet si një liri absolute, e pakufizuar dhe se nuk mund të shtrihet në çështje që kanë të bëjnë me zbatimin e vendimeve të kësaj Gjykate.

Arritjet administrative

Pavarësisht ngarkesës së çështjeve dhe vështirësive që mbart procesi kushtetues për shkak të kompleksitetit dhe kolegjialitetit në vendimmarrje, Gjykata ka bërë përpjekje të vazhdueshme edhe për përmbushjen e objektivave të saj strategjikë e institucionalë, me qëllim dhënien e një drejtësie kushtetuese funksionale. Në kushtet e një buxheti në rritje, Gjykata, me një vizion të ri, ndërmori nisma konkrete në disa drejtime: 

* Së pari, një lajm shumë i mirë për Shqipërinë është marrja e kryesisë së Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane (CECC), gjatë Kongresit të 19-të në maj të vitit 2024, ku 35 gjykata të pranishme votuan dhe zgjodhën Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë si gjykatën kryesuese të kësaj Konference për periudhën 2024 – 2027, si dhe organizatore të Kongresit të ardhshëm të saj në Shqipëri në vitin 2027. Theksoj se është hera e parë që Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë merr kryesimin e CECC, në të cilën është anëtare prej vitit 2000.

Në lidhje me këtë ngjarje  të rëndësishme, gjej rastin t’ju njoftoj se në datën 28 shkurt, këtë të premte, në Tiranë do të mbahet Mbledhja e Rrethit të Kryetarëve, me praninë e 34 Gjykatave Kushtetuese Evropiane, të cilat përfaqësohen me krerët e tyre, ku do të merren vendime në lidhje me Kongresin e ardhshëm të pranverës së vitit 2027.

Po kështu, në këtë mbledhje pritet të shqyrtohet aplikimi i anëtarësimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, aplikim ky i paraqitur që nga viti 2011 dhe i rijetësuar nën kryesinë e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Dhe pse do të duhet të presim datën 28 shkurt për rezultatin e vendimmarrjes së mbledhjes, ndihem shumë e emocionuar dhe shpresëplotë se Tirana do të jetë ogur i mirë për këtë vendim të shumëpritur.

Një risi tjetër në veprimtarinë e Gjykatës, me qëllim aksesin në drejtësinë kushtetuese, është buletini periodik dymujor i Gjykatës, i cili është shpërndarë gjerësisht në formë elektronike tek të gjithë profesionistët e drejtësisë. Botimi i sjell vendimet e Gjykatës në mënyrë të përmbledhur, me një gjuhë lehtësisht të kuptueshme, në versionin shqip dhe anglisht.

* Në vitin 2023 Gjykata realizoi Udhërrëfyesin e parë të jurisprudencës së saj kushtetuese për ankimin kushtetues individual, të konceptuar sipas modelit të udhërrëfyesve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjatë vitit 2024Gjykata Kushtetuese realizoi Udhërrëfyesin e dytë mbi parimet dhe të drejtat e liritë themelore të njeriut. Të dy udhërrëfyesit janë frut i bashkëpunimit me OSBE-në. Botimi i Udhërrëfyesit pritet të finalizohet brenda muajit mars 2025.

* Duke treguar një vëmendje të veçantë për edukimin qytetar me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe respektin për shtetin e së drejtës, i cili theksoj se fillon që në moshë të vogël, Gjykata hartoi një doracak shpjegues të titulluar “Kushtetuta ime” për fëmijët e arsimit bazë. Ky botim është prodhuar për herë të parë në këtë format, me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme për fëmijët, i cili u mbështet nga Konfederata Zvicerane, ashtu si edhe buletini dymujor i sipërcituar.

* Gjatë vitit 2024, Gjykata Kushtetuese ka pasur në fokus të saj forcimin e Komunikimit me Median dhe me Publikun. Gjykata ka vijuar praktikën e nisur në vitin 2023 për organizimin e konferencave për shtyp për çështje me rëndësi dhe interes të lartë publik.

Gjykata ka vijuar transmetimin live, përmes platformës Youtube, të të gjitha seancave plenare publike. Gjithashtu, Gjykata publikon informacion të vazhdueshëm mbi veprimtarinë e saj në rrjetet sociale Facebook (Meta) “Twitter” (X) dhe “LinkedIn” si dhe në faqen e saj zyrtare të internetit.

* Me rastin e kësaj analize vjetore,  gjej rastin këtu të prezantoj faqen e re zyrtare të  Gjykatës Kushtetuese, aktive që nga mëngjesi i sotëm, me një dizajn më modern dhe një strukturë më të organizuar të të gjithë informacionit, e aksesueshme në linkun www.gjykatakushtetuese.gov.al

Për lehtësi në 6 muajt e ardhshëm do të jetë e aksesueshme edhe faqja e mëparshme. Faqja e re e përmban të gjitha vendimet e Gjykatës që prej krijimit të saj, të cilat aksesohen lehtësisht përmes një funksioni të ri kërkimi. Faqja ofron historikun virtual të Gjykatës dhe në përgjithësi lejon një përdorim më miqësor kërkimi dhe informacioni.

Gjykata e vlerësoi si detyrim ndaj publikut të vazhdojë praktikën e mirë të nisur për herë të parë në vitin 2023 për hartimin dhe publikimin e raportit vjetor, si një instrument që i shërben së drejtës së informimit të cilin e gjeni të printuar këtu.

Përveç analizës së detajuar të vendimeve më të rëndësishme, ky raport prezanton një pasqyrë të plotë të sfidave, angazhimeve, statistikave dhe rezultateve kryesore, të cilat ilustrojnë përkushtimin e Gjykatës për garantimin jo vetëm të një sistemi eficient por edhe të pavarur, bashkëkohor dhe cilësor të drejtësisë kushtetuese.

Veprimtaria e Gjykatës Kushtetuese gjatë vitit 2024 ishte intensive dhe, përtej sfidave, krijoi edhe mundësi e oportunitete për drejtësinë kushtetuese në vend.  

Për vitin 2025 ashtu edhe më tej, Gjykata Kushtetuese, përmes punës së saj, do të garantojë dhënien e drejtësisë kushtetuese dhe përmbushjen e misionit të saj të shenjtë të interpretimit përfundimtar të Kushtetutës, duke mos harruar se sistemi ynë juridik është dinamik dhe se, edhe pse themeluar mbi parime të qëndrueshme dhe të forta, ai duhet të jetë i aftë të përshtatet me realitetet e reja dhe nevojat në zhvillim të shoqërisë.

Për këtë arsye, angazhimi ynë duhet të mbetet i palëkundur në mbrojtjen e pavarësisë së drejtësisë kushtetuese, po ashtu edhe në sigurimin që çdo qytetar të shohë të drejtat e tij të respektohen, madje edhe përballë sfidave të kohës sonë, pavarësisht statusit të tij dhe aq më shumë kur liritë e tij kufizohen, pasi Kushtetuta është garancia jonë e vetme dhe e pakompromis edhe në realitetet e reja që evoluojnë.

Referuar subjekteve që vënë në lëvizje Gjykatën, vendimet përfundimtare grupohen në këtë mënyrë:

  • 7 vendime u përkasin kërkesave të paraqitura nga një grup deputetësh.
  • 1 vendim i përket kërkesës së paraqitur nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm (kontroll incidental).
  • 1 vendim i përket kërkesës së paraqitur nga partitë politike.
  • 5 vendime u përkasin kërkesave të paraqitura nga organizatat.
  • 2 vendime u përkasin kërkesave të paraqitura nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese.
  • 70 vendime u përkasin kërkesave të paraqitura nga individët.

Referuar objektit të kërkesës ato grupohen:

  • 1 vendim me objekt papajtueshmërinë e marrëveshjes ndërkombëtare me Kushtetutën;
  • 12 vendime me objekt papajtueshmërinë e akteve normative me Kushtetutën.
  • 2 vendime me objekt konflikt kompetencash;
  • 54 vendime me objekt kundërshtimin e vendimeve të gjykatave të juridiksionit të zakonshëm, në kuadër të procesit të rregullt.
  • 2 vendime me objekt shfuqizimin e vendimeve gjyqësore së bashku me papajtueshmërinë e akteve normative me Kushtetutën.
  • 2 vendime me objekt deklarim mbarim mandati të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.
  • 12 vendime me objekt konstatimin e cenimit të së drejtës për proces të rregullt si rezultat i mosgjykimit brenda një afati të arsyeshëm.
  • 1 vendim me objekt korrigjim vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas dispozitivit, vendimet përfundimtare grupohen në këtë mënyrë:

  • Për 55 vendime Gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës/pranimin e pjesshëm.
  • Për 31 vendime Gjykata ka vendosur rrëzimin e kërkesës.

Sipas mënyrës së votimit kemi këto të dhëna:

  • 42 vendime janë marrë njëzëri.
  • 42 vendime janë marrë me shumicën e votave.
  • 2 vendime janë rrëzuar për shkak të mungesës së shumicës për vendimmarrje.

Vendimet e moskalimit të grupuara sipas subjekteve që vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese janë:

  • 2 vendime për kërkesa të paraqitura nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm (kontroll incidental).
  • 1 vendim për kërkesë të paraqitur nga Këshilli i Ministrave.
  • 3 vendime për kërkesa të paraqitura nga organizatat.
  • 316 vendime për kërkesa të paraqitura nga individët/ankime kushtetuese individuale.

Duke bërë një krahasim të kërkesave dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në periudhën 2021-2024 rezulton se:

  • Në vitin 2021 – 147 kërkesa; 201 vendime në total nga të cilat 41 janë përfundimtare.
  • Në vitin 2022 – 291 kërkesa; 238 vendime në total nga të cilat 43 vendime përfundimtare.
  • Në vitin 2023 –  367 kërkesa; 353 vendime në total nga të cilat 70 përfundimtare.
  • Në vitin 2024 –  427 kërkesa; 408 vendime në total nga të cilat 86 përfundimtare.

Pra, gjatë dy viteve të fundit ka pasur rritje të numrit të kërkesave dhe të vendimeve.