Diskutime për futbollin dhe ideja e një ndeshje miqësore, Duka takon Komisioneren për Zgjerimin e BE
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka takuar Marta Kos, komisioneren për zgjerimin e BE, teksa ka diskutuar me të për çështje të ndryshme sa i takon futbollit. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Duka shkruan për një iniciativë që mund të ndërmerret, që ka të bëjë me organizimin e një ndeshje miqësore mes futbollistëve dhe personzhave të njohur të njohur të politikës, në Europë.
Postimi:
Sot pata kënaqësinë të takoja Marta Kos, Komisioneren për Zgjerimin e BE, me të cilën ndamë një bisedë shumë të frytshme mbi rolin e futbollit si një urë lidhëse mes popujve dhe një mjet për të përcjellë mesazhe të forta mbi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Një nga iniciativat që diskutuam ishte organizimi i një ndeshjeje miqësore, ku do të bashkojmë futbollistë, vajza e djem nga vendet ballkanike dhe Europa Perëndimore, si dhe politikanë e figura të njohura. Një aktivitet që do të shërbejë si simbol i miqësisë, bashkëpunimit dhe vlerave që futbolli promovon përtej fushës së lojës.
Futbolli është më shumë se një sport—është një forcë që na bashkon!