Shqipëria në krye: “Zjerm” favorit për të fituar Eurovision 2025
Me nisjen e afërt të provave në qytetin Basel të Zvicrës, atmosfera e Eurovision 2025 po bëhet çdo ditë më elektrizuese. E ndërsa 37 vende përgatiten për të dhënë më të mirën në skenë, publiku ndërkombëtar ka dhënë sinjalin e parë të fortë: Shqipëria është pretendentja kryesore për të rrëmbyer trofeun këtë vit!
Sipas një sondazhi të organizuar nga portali i njohur Wiwibloggs, në të cilin morën pjesë 18,951 fansa nga e gjithë bota, grupi “Shkodra Elektronike” ka rrëmbyer zemrat e publikut me këngën “Zjerm”. Me 2,106 vota të grumbulluara – që përbëjnë 11.11% të totalit – Shqipëria renditet në vend të parë, duke kaluar favoritët e zakonshëm të garës.
Në podium edhe Finlanda dhe Suedia
Në vend të dytë qëndron Finlanda, përfaqësuar nga Erika Vikman me këngën “ICH KOMME” – një himn i lirisë seksuale dhe vetëpërfaqësimit, që ka mbledhur 1,969 vota (10.39%).
Surpriza e këtij edicioni, grupi suedez KAJ, renditet i treti me këngën “Bara Bada Bastu” – një dedikim unik ndaj kulturës nordike dhe dashurisë për saunën – me 1,620 vota (8.55%).
Një valë e re për Shqipërinë
Rezultatet vijnë pas një sondazhi të mëparshëm ku Shqipëria ishte pozicionuar e dyta në gjysmëfinale. Por duket se një valë e re mbështetjeje ka ngritur ndjeshëm profilin e përfaqësuesve shqiptarë, që aktualisht shihen si potencialët më të fortë për fitoren e madhe.
Lista e vendeve të tjera ndjekëse përfshin Austrinë, Spanjën, Holandën, Izraelin dhe Francën – të gjitha me më pak se 7% të votave.
A do të jetë ky viti i Shqipërisë?
Ndërsa skena po ngrihet dhe provat po afrojnë, “Zjerm” duket se ka ndezur jo vetëm publikun shqiptar, por edhe fansat më të flaktë të Eurovisionit në të gjithë botën.
A do të jetë ky momenti që Shqipëria të ngjitet për herë të parë në majën e Eurosong-ut? Mbetet të shihet, por për momentin, flamuri kuqezi po valëvitet fuqishëm në klasifikimet paraprake.