“SPAK të vërë në punë task-forcën”, denoncimi i Këlliçit: Ambulancat publike do të përdoren sot për të shpërndarë para për blerjen e votave
Kandidati i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka bërë sot një deklaratë të fortë për mediat, duke denoncuar një skenar të dyshimtë që, sipas tij, po përgatitet për natën para zgjedhjeve.
Sipas Këlliçit, informacione të sigurta pranë Partisë Demokratike konfirmojnë se rrjeti i ambulancave publike do të përdoret si mjet për shpërndarjen e parave me qëllim blerjen e votave.
“Patronazhistët e Ramës do të lëshohen sot rrugëve duke përdorur ambulancat si bankomate për blerjen e vullnetit të zgjedhësve shqiptarë,” – u shpreh Këlliçi.
Ai i bëri thirrje SPAK-ut që të vë në lëvizje task-forcën e zgjedhjeve, duke theksuar se situata në Tiranë është një pasqyrë e asaj që po ndodh në Shkodër, dhe përgjegjësia i takon qeverisë.
“SPAK të veprojë menjëherë! Toma në Shkodër është nxënës i Ramës në Tiranë,” – tha ai, duke nënkuptuar një model të centralizuar të manipulimit zgjedhor.
Këlliçi gjithashtu paralajmëroi përgjegjësit e ambulancave që të mos përfshihen në këtë plan, pasi sipas tij, do të listohen si “terroristë elektoralë” dhe do të përballen me pasoja ligjore një nga një.
Në fund të deklaratës, ai rikujtoi rezolutën e Partisë Popullore Evropiane (EPP) dhe lidhjen midis ndërhyrjeve shtetërore në zgjedhje dhe të ardhmes europiane të vendit:
“Nëse makineria shtetërore ndërhyn në zgjedhje, integrimi evropian i Shqipërisë do të ndalet. Kush i vjedh zgjedhjet, e ka të shkruar fatin në Uashington, Bruksel dhe Berlin.”