Tue, May 13, 2025

Përmbysja në Dibër zhgënjen demokratët, ndërsa PS i hedh sytë nga lista e hapur

  • PublishedMay 12, 2025
Përmbysja në Dibër zhgënjen demokratët, ndërsa PS i hedh sytë nga lista e hapur

“Kjo punë ka mbaruar. Është krijuar një sistem i atillë, që në këtë vend edhe Skënderbeu ose edhe ndonjë profet ta zbresësh, fiton sërish Edi Rama,” thotë me zhgënjim një anëtar i opozitës në KZAZ nr.18 në .

Lodhja nga orët e gjata të punës për zgjedhjet e 11 majit, por edhe rezultati përtej pritshmërive i lexohet në fytyrë. Komisioneri demokrat beson se socialistët fituan përmes një kombinimi mes kërcënimeve, blerjes së votës dhe një mekanizmi që ai e quajti “biskotë elektorale”. “Nuk ka bir nëne që jua ndal,” shtoi ai.

Dikur bastion i Partisë Demokratike, në këto zgjedhje e mori drejtimin në favor të Partisë Socialiste. Pasditen e së hënës, kur ishin numëruar thuajse gjysma e 222 qendrave të votimit në të gjithë qarkun, rezultati sugjeron se ndarja e mandateve do jetë 2 me 3 në favor të partisë në pushtet.

Qarku i Dibrës është qarku i tretë më i vogël në Shqipëri pas Kukësit e Gjirokastrës dhe do të mandatojë 5 deputetë më 11 maj. Dibra është gjithashtu qarku që gjatë dy dekadave të fundit, ka njohur disa nga ndryshimet më trullosëse politike, ndryshime të cilat, larg të qenit pasojë e ndonjë temperamenti lokal për kërkim të larmishmërisë politike, janë produkt i disa prej krimeve zgjedhore më të mirëdokumentuara në historinë e re të Shqipërisë, përfshirë edhe atë që njihet gjerësisht si dosja 184.

Në ambientet e qendrave të numërimit në të katër KZAZ-të e Dibrës, gara duket se është zhvendosur tek kandidatët e listës së hapur. Përfaqësuesit e kandidatëve socialistë, , dhe i gjen përballë monitorëve. Përpos shënimit të votave të partisë, puna e tyre është të mbajnë shënim votat e kandidatëve, për ta po aq e rëndësishme.

“I sheh, këta, duan ta hanë të gjallë njëri-tjetrin. Shifi. Këta të gjithë kanë një profil biznesi. Pushtetin e mjelin me tendera e koncesione,” thotë një tjetër përfaqësues i opozitës në sallën e numrimit të votave në Peshkopi.

Në këtë garë, Murat Dani është vetëm 24 vjeç. Në ato pak dalje publike, ai ka treguar me fjalë të kursyera se ka studiuar në Mbretërinë e Bashkuar për inxhinieri. Në zonën e Dibrës njihet më shumë i ati, Jeton Dani, biznesmen prej dy dekadash me aksione në fushën minerare, hidroenergjetike dhe së fundmi në energjinë solare.

Po kaq i përmendur në këto zgjedhje është edhe Agron Malaj, ish-kryetari i bashkisë së Matit, i cili e shtroi me asfalt elektoral ambicien e tij drejt Kuvendit të Shqipërisë. Persona të afërt me Malajn i gjen thuajse në çdo KZAZ, teksa mbajnë shënim votat për kandidatin.

Danjel Gjura, ish-drejtues i zyrës së Transportit Rrugor në Dibër dhe pretendent kryesor gjithashtu për një vend në parlamentin e ardhshëm, u vendos në qendër të vëmendjes mediatike gjatë ditëve të fundit, për shkak të tensioneve parazgjedhore me grupet e opozitës që quajtën veten struktura të mbrojtjes së votës. Në një incident në Maqellarë, Gjura u përfshi gjithashtu në një incident në garën brenda llojit.

Të dielën e zgjedhjeve, në të gjitha qendrat e votimit të KZAZ-ve Bulqizë dhe Dibër, në ambientet e jashtme dhe pa lidhje me administrimin zgjedhor, ishin persona që mbikëqyrin dhe sillnin persona për të votuar, shumica të identifikuar si punonjës të administratës publike. Gjithashtu në çdo qendër votimi, një person raportonte në kohë reale për personat që hynin dhe votonin. Nga këqyrja në distancë, aplikacioni mban në hapje logon e Partisë Socialiste dhe aty bëhet raportimi në kohë reale se për kë parti do të votoj personi.