Wed, May 14, 2025

Në Tiranë, gara për mandate vazhdon deri në kutinë e fundit

  • PublishedMay 13, 2025
Në Tiranë, gara për mandate vazhdon deri në kutinë e fundit

Tre fletë votimi, pak më të zbehta se të tjerat në favor të partisë “Mundësia” të Agron Shehajt, u bënë shkak përplasjeje në shkollën “Sami Frashëri”, ku numërohen votat e njësisë 9 në Tiranë.

“Vëzhguesit tonë nuk i dolën llogaritë. Kur pyetëm, na thanë që 7 vota tonat ishin shpallur të pavlefshme se fleta ishte pak më e zbehtë. Kur kërkuam t’i shohim, nuk pranuan,” tha , kandidati i dytë në listë i Mundësisë. Pas ndërhyrjes së vëzhguesve, numri i votave të cilësuara me probleme u ul në 3, por konflikti vazhdoi.

Drejtuesit e KZAZ-së nxorën jashtë vëzhguesit e partisë “Mundësia” dhe u desh prania e deputetit Shehaj, që situata të normalizohej. Më pas, KZAZ i numëroi votat si të vlefshme, por përcaktoi se ato ishin të kontestuara dhe mund t’i nënshtrohen rivlerësimit.

“Ne kërkuam vetëm të zbatojmë ligjin dhe për këtë u dhunuam, duke na nxjerrë jashtë KZAZ edhe pse kutitë ishin të hapura në tavolinë,” tha Kapri.

Përplasja është në dukje për një grusht votash, por partitë politike që po llogarisin edhe votat e diasporës që numërohen pranë Parkut Olimpik, parashikojnë se edhe një dorë e tillë mund të ndryshojë fatin e mandateve për kryeqytetin. Në fakt llogaritë, bazuar në rezultatet e orës 18:00 të së martës, tregojnë se “Mundësia” merrte një mandat nga koalicioni i PD-së, nëse merr 54 vota më shumë. Në orën 20:20, “Mundësia” ishte 123 vota në avantazh ndaj PD-së dhe duket fituese e mandatit të 2-të.

Kjo garë e ngushtë duket se solli në KZAZ veç Shehajt edhe Belind Këlliçin, i cili këmbënguli në deklarimet e tij se fletët e votimit në fjalë ishin me probleme. Sipas tij, ato kishin ngjyrë më të zbehtë dhe ishin në material tjetër. Këlliçi i tha BIRN se fletë të ngjashme ishin përdorur për të votuar në favor të socialistëve dhe ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha.

Por ndërsa kjo garë pritet të ndahet në pak orë, me përfundimin e numërimit të votave në Tiranë, ethet reale kryesisht mes kandidatëve të shumicës socialiste, pritet të fillojnë me numërimin e votave për kandidatë.  

Gara mes llojit

Ministrja e Sipërmarrjes, Delina Ibrahimaj gjatë monitorimit të procesit të numërimit. Foto: Vladimir Karaj.

Në Tiranë ku socialistët pritet të nxjerrin deri në 7 fitues nga listat e hapura, gara përfshin ministra e ish-ministra dhe një sërë personazhesh jo fort publike, por të testuar në mbledhjen e votave si Ornaldo Rakipi e Xhemal Qefalia. Në krahun tjetër, me më pak hapësirë për të dalë deputetë nga listat e hapura gara zhvillohet mes Ilir Alimehmetit, Jorida Tabakut, Muslim Murrizit, Ilir Metës dhe një grupi të madh kandidatësh.

Ethet e kësaj gare e mbajtën të mbërthyer Erion Braçen në shkallët e njësisë 5, e njohur si bastion i PS-së dhe zona ku ai zhvilloi kryesisht fushatën. Por ndërsa votat për Braçen janë në shumicë në këtë njësi, në kuti dalin vota edhe për Rakipin, ministrin Ervin Hoxha apo personazhe të tjera të socialistëve. Më herët në vitin 2021, Rakipi, i cili renditet i treti në numërimin e bërë deri në orën 20:00 të së martës, spostoi nga parlamenti ish-kreun e PS-së për kryeqytetin, Ervin Bushati.

E pyetur nga BIRN se si ndihej për faktin se personazhe si Rakipi, babai i të cilit u shpall non-grata prej Departamentit të Shtetit mund të nxirrnin nga parlamenti politikanë profesionistë,  deputetja Delina Ibrahimaj, ministre Shteti për Sipërmarrjen, pretendoi se të gjithë kandidatët e PS-së ishin të barabartë. “Të gjithë kandidatët tanë janë të gjithë persona që kanë potencial të jenë deputetë,” tha Ibrahimaj, e cila vetë ndodhet në listat e sigurta.

Në shkallët e Parkut Olimpik, i ngarkuar nga PS për votën e diasporës, i lan duart nga gara e brendshme. “Puna ime ka qenë të siguroj vota për partinë,” tha Balla.

, e cila po ashtu ishte prezente për disa orë gjatë numërimit në njësinë nr.5 në shkollën “Vasil Shanto”thotë se gara për mandatet në lista të hapura është ende e pacaktuar dhe nuk mund të lexohet pa ecur mirë numërimi. Tabaku thotë se ndërsa ka kandidatë që kanë vota në të gjithë qarkun, të tjerë mund të kënë grumbulluar më shumë duke punuar në zona më të ngushta.

Por ndërsa në PD luhet për maksimumi 2 vende në Kuvend, gara e socialistëve pritet të jetë më e ethshme pasi numri i mandateve në lojë dhe garuesve për to është mjaft më i madh.

Këtu garën e kryeson , ministri që e nisi garën me një avantazh prej 4759 votash nga numërimi elektronik në Vorë dhe ndiqet menjëherë nga ish-ministri Fatmir Xhafaj me 1722 vota të marra nga një numërim i ngjashëm në njësinë 10.

Mandatet në lojë

Kandidati demokrat i listave të hapura, gjatë monitorimit të procesit të votimit. Foto: LSA.

Pavarësisht rezultatit brenda vendit, vota e diasporës e kontestuar ashpër nga , duket se është vendimtare për rreth 5 mandate në të gjithë vendin. Përveç mandatit që lëkundet mes “Mundësisë” dhe Partisë Demokratike në Tiranë dhe që është ende i diskutueshëm, mandate në lojë ka në Vlorë, ku PS me votë nga diaspora pretendon të marrë 9 mandate nga 8 deputetë aktualë.

Në Fier ku dominimi socialist është 12 me 4, më i thelli në histori dhe me gjasë nga më të mëdhejtë në vend, mandati i 12 mbetet i konkurueshëm dhe Nisma Shqipëria Bëhet është pretendente për ta fituar atë. Pritshmëri ka edhe për një mandat në Lezhë nga , por bazuar në rezultatet e deritanishme të votimit jashtë vendit, mundësitë këtu janë më të vogla.

Për deputeten e PD Jozefina Topalli, vota e diasporës ka probleme të mëdha. Topalli këmbënguli se diferencat e mëdha në kutitë e Beratit e bënin këtë votim të dyshimtë. Ajo pretendoi se socialistët e kishin manipuluar votën e diasporës përmes presionit nga administrata publike që u detyrua të regjistronte votues në diasporë. Topalli po ashtu pretendoi probleme në votën nga Greqia, e cila sipas saj u shpërnda në mënyrë të kundraligjshme dhe ka paqartësi. Por ajo pranoi në bisedë se PD nuk kishte prova për të argumentuar këto dyshime dhe se kur ishin kërkuar prova, këto kërkesa ishin rrëzuar.

Zhgënjimi i të vegjëlve

Pavarësisht se kanë siguruar nga një mandat deputeti në Tiranë, përfaqësuesit e partive të vogla dolën të zhgënjyer nga zgjedhjet e 11 majit.

, një prej garuesve në listën e “Nisma Shqipëria Bëhet”, i tha BIRN se  ndërsa gjithçka kishte qenë e hapur, qoftë fitorja e Ramës, qoftë ajo e Berishës, ai ishte i zhgënjyer nga votat për partitë e reja. “Refuzimin e demokracisë unë nuk e prisja. Pra refuzimin e ofertës ndryshe, refuzimin e ngjyrave në tablonë bardhë e zi Rama-Berisha nuk e prisja,”  i tha Soko BIRN.

Ai thotë se problemi nuk mund të shihet vetëm të sistemi dhe duhet kërkuar interpretim sociologjik, për të kuptuar përzgjedhjen e votuesve.

Ndryshe nga Soko, nga “” thotë se ata nuk kishin pritshmëri për ndonjë fitore më të madhe, nisur kjo edhe nga pabarazia në garë.

“Mendoj që rezultati është i mirë për Lëvizjen Bashkë, duke pasur parasysh që ne kemi të sigurt një mandat në Tiranë dhe një numër të madh votash në rang kombëtar dhe duke marrë parasysh garën komplet të pabarbartë me thuajse të gjithë garuesit kryesorë,” tha Bregasi.

Përfaqësues të Koalicionit EuroAtlantik të Bashës janë më të zhgënjyer për rezultatin që i lë ata jashtë parlamentit. Pavarësisht një fushate në të gjithë Shqipërinë dhe influencës së Bashës si ish-drejtues i opozitës, votat për ta nuk kanë qenë të mjaftueshme. KEA siç shënohet në fletën  e votimit ka një paraqitje të dobët edhe në votën e diasporës, ku partitë e tjera të reja, Nisma Shqipëria Bëhet, Mundësia dhe Lëvizja Bashkë,  i kanë të dyfishuara votat krahasimisht me atë që marrin në rang vendi.