Mon, May 19, 2025

Tirana largoi kampionët dhe “fitoi”… mbijetesën! Te bardheblutë nuk harrojnë liderin e Rrogozhinës

  • PublishedMay 19, 2025

Tirana largoi kampionët dhe “fitoi”… mbijetesën! Te bardheblutë nuk harrojnë liderin e Rrogozhinës

Në botën moderne ku njeriu konsiderohet njëdimensional, është e thjeshtë të besohen argumentet e tjerëve. Për më tepër, kur premtimet artikulohen publikisht dhe janë për t’u mbushur mendjen tifozëve.tiranaNjë histori e tillë përsëritet prej kohësh tek ekipi i Tiranës. Çdo vit, drejtuesit premtojnë Tiranën e madhe, atë të titujve kampionë, atë të dominimit në çdo cep të fushës dhe futbollit. E kanë bërë edhe dy vitet e fundit, por pa sukses. Tirana e dy kampionateve dhe atij që sapo u mbyll është e keqdrejtuar dhe e keqmenaxhuar.

Mjaftojmë të tregojmë se vendimmarrësit bardheblu nga fillimi i sezonit 2023-2024 kanë shkatërruar një ekip, që sot do të ishte kampion i Shqipërisë i padiskutueshëm. Më e bukura është se Tirana e viteve 2000 shkatërronte skuadra të tjera për të forcuar grupin e saj me lojtarë kampionë. Tani është e kundërta. As edhe një futbollist që mund të jetë i vlefshëm nuk qëndron më shumë se një sezon te bardheblutë, pasi janë skuadrat e tjera që i grabisin sa hap e mbyll sytë dhe Tirana nuk ka fuqi t’i mbajë në skuadër apo t’i joshë me shumat marramendëse.

KAMPIONËT – Në dy sezonet e fundit, Tirana ka larguar ose nuk ka mbajtur dot në grupin e saj disa lojtarë kampionë. Bëhet fjalë për Regi Lushkjen, i cili fitoi titullin me Egnatian këtë sezon, si dhe shënoi 16 gola. Te Tirana ishte i pavlefshëm, ndërsa te rrogozhinasit ka rilindur. Një goditje e madhe për bardheblutë, të cilët nuk donin ta mbanin në skuadër në fund të sezonit. Madje, me të janë në një proces gjyqësor.

Albano Aleksi braktisi Tiranën në fillim të sezonit 2023-2024 për Egnatian. Në Rrogozhinë është kampion i dyfishtë. Katër trofe ka fituar deri sot, ndërsa është “graduar” edhe kapiteni i Egnatias. Te Tirana iu lutën, por nuk e mbajtën dot.

Liridon Latifi është një tjetër futbollist, i cili dështoi te Tirana, por doli kampion me Shkëndijën e Tetovës. Anësori bëri shumë mirë, por në fund u vlerësua i pavlefshëm. Edhe me kosovarin Trana është në gjyq, ndërsa Liridoni la kryeqytetin shqiptar dhe luajti në Tetovë. U shpall kampion i Maqedonisë së Veriut. Një shuplakë për skeptikët, të cilët e skartuan.

Fjoart Jonuzi la bardheblutë në janar 2025 dhe u transferua tek ekipi i Dinamos. Si shumë të tjerë, i padëshiruar te bardheblutë, por te Dinamo fitoi Kupën e Shqipërisë, si dhe doli i katërti në kampionat, ndonëse te Tirana ishte jashtë pritshmërive. Në të njëjtën situatë është Tomas Kiri, po te Dinamo si dhe Klevi Qefalija, që iku në janar 2024 dhe tani është fitues i Kupës së Shqipërisë e titullar i padiskutueshëm.

Të tjerët – Tirana këtë sezon të fundit largoi edhe emra të njohur si Erjon Hoxhallari, i cili luan në Poloni dhe me skuadrën e tij pretendon të kalojë në Ligën e Parë. Edhe Bruno Lulaj u transferua tek Elbasani, me qëllim për të qenë në një skuadër pretendente dhe doli i pesti në renditjen e Superiores. Pa harruar këtu Jakun, që kaloi te Bolonja apo Patrik në vendet arabe. Të gjithë lojtarë, të cilët ishin liderë. Këtu nuk llogaritet dyshja Najdovski-Abazaj ose futbollistë që bënin diferencën në fushën e lojës, por që për momentin janë të dëmtuar. Shkurt, Tirana është e gatuar në një mënyrë që largon futbollistë me petkun e kampionit dhe afron të tjerë që mezi i garantojnë qëndrimin në Superiore. Dhe këtë shou e pamë këtë kampionat, ku bardheblutw rrezikuan seriozisht kategorinë.


AlbaniaWeb.net