Vllaznia me vendalinj, largimet peng i parave
Me emërimin e Vioresin Sinanit si drejtori i ri sportiv i Vllaznisë, te kuqeblutë është zyrtarizuar një rol shumë i rëndësishëm dhe tashmë edhe me trajnerin e ri, Edi Martni, puna për ndërtimin e ekipit për sezonin e ri do fillojë menjëherë.
Kuqeblutë fillimisht duket se do të zgjidhin disa kontrata me futbollistët aktualë që kanë në skuadër, ku mes rinovimesh dhe largimesh do të shihet se kush do të “shpëtojë” nga ata që ishin protagonistë këtë sezon. Te 9 herë kampionët e vendit duket se gjithçka do të lihet në dorën e “vendalinjve”, siç e theksojnë shpesh në Shkodër. Tashmë skuadra do të drejtohet nga ish-futbollistë kampionë dhe që kanë një reputacion në qytet.
Dhe zyrtarizimi i këtyre lëvizjeve nga ana e drejtuesve të skuadrës shkodrane ka shtuar shumë entuziazmin mes tifozëve. Shumica dërrmuese e mbështetësve shkodranë ka mirëpritur shumë pozitivisht emërimet e Martinit si trajner dhe të Sinanit si drejtor sportiv. Por, nga sa mëson “Panorama Sport”, stafi i ri teknik do të marrë formën e tij përfundimtare deri në fillimin e muajit qershor.
Kjo pasi edhe zëvendëstrajnerit, Ergi Borshi dhe trajnerit të portierëve, Idel Lekiqi, u përfundon kontrata në fundin e muajit maj. Por vullneti nga ana e të dy palëve si drejtuesve dhe dy trajnerëve për të vijuar marrëveshjen duket se është pozitiv. Me diskutimet për rinovimet e kontratave që pritet të jenë formale dhe të dy do vijojnë të jenë pjesë e Vllaznisë edhe në sezonin e ardhshëm, duke përjashtuar ndonjë të papritur. Një staf totalisht shkodranësh për Vllazninë në edicionin 2025-26, diçka që prej vitesh kërkohej në qytet dhe duket se sezoni i ardhshëm do ta gjejë Vllazninë më “shkodrane” se kurrë në këto dekadat e fundit.
LARGIMET – Largimet e para kanë nisur te Vllaznia, ku skuadrën ditën e martë e kanë lënë dy futbollistë të rinj, si Flori Spahija dhe Ersi Zaganjori, që kanë shkëputur marrëdhëniet me klubin ku u rritën si futbollistë, për të vijuar karrierën diku tjetër. Por, prej disa ditësh, te kuqeblutë kanë qarkulluar emra të shumtë titullarësh që do të largoheshin po ashtu në fund të këtij edicioni. Të sigurta duken largimet e Kahrimanoviç, Stojanoviç, Juriç dhe Mensah, pa përjashtuar edhe ndonjë surprizë tjetër. Zyrtarizimi i largimeve të këtyre futbollistëve, sipas asaj çfarë mëson “Panorama Sport”, po mungon për shkak të likuidimit të të gjithave pagesave nga ana e klubit shkodran.
Futbollistët në fjalë dhe jo vetëm do të presin edhe pagesën e muajit maj, për të përfunduar pastaj gjithçka zyrtarisht në rrugëtimin e tyre me klubin shkodran. Edhe tek Vllaznia po ashtu duan t’i bëjnë gjërat siç duhet prandaj nuk po nxitohen në zyrtarizimin e largimeve. Kjo edhe për të shmangur ndonjë të papritur në të ardhmen, ku shkodranët kanë pasur eksperienca jo pozitive në janar. Me merkaton që u bllokua dy herë për shkak të mos pagesave të disa futbollistëve. E tashmë pritet shpërblimi financiar për çdo futbollist deri në ditën e fundit të kontratës së tyre.